Koreja e Veriut lëshoi sot një tjetër raketë, që mendohet se është e llojit balistik. Sipas qeverive të Koresë së Jugut dhe Japonisë, ky është testimi i dytë i zhvilluar këtë vit.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa e Koresë së Veriut duket se ka demonstruar aftësi të përmirësuara krahasuar me raketën që Pheniani lëshoi javën e kaluar.
Të enjten e kaluar, Koreja e Veriut pretendoi se kreu një provë të suksesshme me një rakete hipersonike. Megjithatë, qeveria e Koresë së Jugut thotë se ky pretendim është i ekzagjeruar.
Sipas ministrisë së mbrojtjes së Koresë së Jugut, raketa më e fundit përshkoi një distancë prej 700 kilometrash, në një lartësi maksimale prej 60 kilometrash dhe u lëshua nga i njëjti rajon verilindor si raketa e javës së kaluar.
Raketa ra në det pranë zonës ekonomike ekskluzive të Japonisë dhe nuk pati dëme të raportuara, tha të martën agjensia japoneze e lajmeve Kyodo.
Prova u krye vetëm pak orë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut. Shtetet e Bashkuara dhe pesë vendet e tjera të Këshillit të Sigurimit i dënuan provat e raketave duke i konsideruar “një kërcënim domethënës për stabilitetin rajonal”.