Thirrje për shfaqjen e filmit për masakrën e Srebrenicës në gjithë Serbinë

Filmi “Quo Vadis, Aida”, fitues i çmimit kryesor në Festivalin Evropian të Filmit, pasqyron historinë e një nëne që mundohet të shpëtojë fëmijët e saj nga masakra e Srebrenicës. Projekti është shfaqur për herë të parë në territorin e Serbisë, në Novi Pazar. Tani, autorët e filmit po kërkojnë shfaqjen e tij në gjithë vendi, në mënyrë që historinë e vërtetë të Srebrenicës ta mësojnë të gjithë serbët.

Drejtori i një qendre kulturore në një pjesë të banuar me shumicë myslimane në Serbi kërkoi shfaqjen në të gjithë vendin të një filmi për masakrën e 8 mijë myslimanëve nga forcat serbe të Bosnjes në Srebrenicë, më 1995.

Më shumë se 1 mijë veta shikuan filmin “Quo Vadis, Aida?”, projekti që u shpall filmi më i miri për vitin 2021 nga Festivali Evropian, në dy shfaqje në qytetin e Novi Pazarit. Kjo është hera e parë që ky film shfaqet në ndonjë pjesë të Serbisë.

“Po kërkojmë që filmi të shfaqet gjithandej në Serbi; është e pakuptimtë që të jepet vetëm në Novi Pazar. Nëse vendi përpiqet për anëtarësim në BE, duhet të lejohemi të shohim këtë film. Shumë serbë duan ta shohin atë. Pse të mos e shohin njerëzit në Kraljevë, Novi Sad apo qytete tjera të Serbisë?” tha Husein Memiç, nga qendra që mundësoi shfaqjen e filmit.

Your browser doesn’t support HTML5

Thirrje për shfaqjen e filmit për masakrën e Srebrenicës në gjithë Serbinë

Filmi i regjisores Jasmila Zbaniç nuk u shfaq as në Republikën Serbe të Bosnjes, e cila ka kundërshtuar ligjin që e bën vepër të dënueshme mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Ratko Mladiç, komandanti i forcave serbe të Bosnjes më 1995 dhe udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç janë shpallur fajtorë për gjenocid nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, për shkak të rolit që kishin në masakrën e Srebrenicës.

Regjisorja Zbaniç tha se shumë kinema në pjesë të tjera të Serbisë dhe Republikës Serbe të Bosnjes dëshironin ta shfaqnin filmin, por u frikësuan nga akuzat që mund të pasonin ose hakmarrja.

“Qëllimi im kurrë nuk ka qenë ndarja. Qëllimi im është tregimi i së vërtetës, për njerëzit që nuk dinë për Srebrenicën ose e mohojnë atë, që të ulen dhe të shohin filmin për një nënë që mundohet të mbrojë dy fëmijët e saj. Sepse kjo është ajo që ndodhi”, thotë ajo.

Televizioni shtetëror serb, RTS, në të kaluarën gjithmonë ka transmetuar filmat që nderoheshin me çmime të mëdha. Por në kërkesën për transmetimin e “Quo Vadis, Aida?”, televizioni tha se nuk do të ndërmerrë një vendim programacioni nën trysni të shtypit.

Boris Isakoviç, i cili luan rolin e Rakto Mladiçit, tha se ndihet i zhgënjyer që filmi është parë nga një këndvështrim politik, e jo si një krijim artistik.