Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga afër njoftimet se forcat paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit për Sigurinë Kolektive të udhëhequr nga Rusia janë vendosur në Kazakistan për të shuar kryengritjen mbarëkombëtare, tha të enjten zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Sekretari i përgjithshëm i organizatës i tha agjencisë së lajmeve RIA se numri i forcave të përgjithshme paqeruajtëse do të ishte rreth 2,500 dhe mund të rritej nëse është e nevojshme.
Uashingtoni do të vëzhgojë me kujdes për çdo shkelje të mundshme të drejtave të njeriut dhe "çdo veprim që mund të krijojë kushtet për kapjen e institucioneve të Kazakistanit," shtoi zoti Price.
Komentet e Departamentit të Shtetit vijnë pasi Rusia dërgoi me nxitim gjatë natës trupa ushtarake pararojë për të shuar një kryengritje mbarëkombëtare tek një nga aleatët më të ngushtë ish-sovjetikë të Moskës, ndërsa dhuna përfshiu përsëri të enjten qytetin kryesor të Kazakistanit, Almaty.
Policia tha se kishte vrarë dhjetëra rebelë gjatë natës. Autoritetet thanë se të paktën 18 pjesëtarë të forcave të sigurisë kishin vdekur, duke përfshirë dy të gjetur me kokë të prerë. Më shumë se 2000 vetë janë arrestuar.
Pas një nate konfrontimesh të vazhdueshme midis protestuesve dhe trupave, një rezidencë presidenciale në qytet dhe zyra e kryebashkiakut u dogjën dhe makina të djegura mbushnin rrugët e qytetit, thanë gazetarët e agjencisë Reuters.
Personeli ushtarak rimori kontrollin e aeroportit kryesor, të pushtuar më parë nga protestuesit. Në mbrëmjen e së enjtes përplasjet u rindezën në sheshin kryesor të qytetit Almaty, ku kontrolli merrej herë nga trupat dhe herë nga qindra protestuesit.
Dislokimi rus ishte një përpjekje e Kremlinit që me një forcë ushtarake të dërguar me shpejtësi të mund të siguronte interesat e saj në vendin e Azisë Qendrore, me shpresën për të shuajtur dhunën.
Prodhimi i naftës në fushën kryesore naftëmbajtëse Tengiz të Kazakistanit u reduktua të enjten, tha operatori i saj Chevron, pasi disa kontraktorë ndërprenë linjat hekurudhore në mbështetje të protestave.
Interneti u ndërpre në të gjithë vendin, duke e bërë të pamundur të përcaktohej shtrirja e trazirave.
PROTESTAT MË TË DHUNSHME QË NGA PAVARËSIA, TRE DEKADA MË PARË
Kazakistani po përjeton protestat më të dhunshme që kur vendi fitoi pavarësinë tre dekada më parë.
Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh tek dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusia dhe Kina. Vendi eksporton sasinë më të madhe të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.
Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët naftënxjerrës në perëndim të vendit. Por dhjetëra-mijëra vetë që kanë dalë që atëherë në rrugë në mbi 10 qytetesh, janë drejuar tani kundër qeverisë autoritare.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka ndërmarrë masa gjithnjë e më të dëshpëruara. Ai fillimisht u përpoq të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë të mërkurën herët. Por në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Më pas ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive, për ndihmë për shtypjen e kryengritjes dhe ajo organizatë ra dakord të dërgonte një numër të papërcaktuar paqeruajtësish.
PSE JANË TË INDINJUAR NJERËZIT?
Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani më i madhi dhe më i pasuri. Ai shtrihet në një sipërfaqe sa Evropa Perëndimore dhe nëntoka e saj ka rezerva kolosale nafte, gazi natyror, uraniumi dhe metalesh të çmuara.
Por ndërsa pasuritë natyrore të Kazakistanit e kanë ndihmuar atë të krijojë një klasë të mesme solide, si dhe një grup të konsiderueshëm manjatësh tepër të pasur, vështirësitë financiare janë të shumta. Paga mesatare mujore kombëtare është nën 600 dollarë. Sistemi bankar ka rënë pre e krizave të thella të shkaktuara nga kreditë defektoze. Si në pjesën më të madhe të rajonit, korrupsioni është i shfrenuar.
Tubimi që shkaktoi krizën e fundit u mbajt në qytetin perëndimor naftëtar, Zhanaozen. Ka kohë që pakënaqësitë janë acaruar në zonë për shkak të ndjesisë se pasuritë energjetike të rajonit nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë në popullsinë vendase. Në vitin 2011, policia qëlloi për vdekje të paktën 15 persona në qytet që po protestonin në mbështetje të punëtorëve të naftës të shkarkuar pas një greve.
Kur çmimet për gazin e lëngshëm që shumica e njerëzve në zonë e përdorin për të furnizuar makinat e tyre u dyfishuan brenda natës të shtunën, durimit i erdhi fundi. Banorët në qytetet fqinjë u bashkuan me protesta dhe brenda disa ditësh protesta të mëdha u përhapën në pjesën tjetër të vendit.
KUSH PO I UDHËHEQ PROTESTAT?
Shtypja e zërave kritikë në Kazakistan ka qenë normë prej kohësh. Çdo figurë që shprehet kundër qeverisë ose është shtypur, është anashkaluar ose është bërë për vete. Pra, megjithëse këto demonstrata kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha - disa duke tërhequr më shumë se 10,000 njerëz, një numër i madh për Kazakistanin - nuk janë shfaqur udhëheqës të lëvizjes.
Për pjesën më të madhe të historisë së dekadave të fundit të Kazakistanit, pushteti ishte në duart e ish-presidentit Nursultan Nazarbayev. Kjo ndryshoi në vitin 2019 kur Nazarbayev, tani 81 vjeç, u largua dhe caktoi aleatin e tij të kahershëm Tokayev si pasardhësin e tij. Në cilësinë e tij si kreu i këshillit të sigurisë që mbikëqyr ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë, Nazarbayev vazhdoi të ruante një ndikim të konsiderueshëm mbi vendin. Tokayev njoftoi të mërkurën se po merrte detyrën e kreut të këshillit të sigurimit nga Nazarbajevi.
Pjesa më e madhe e indinjatës ditët e fundit nuk ishte drejtuar ndaj Tokajevit, por ndaj Nazarbajevit, i cili ende konsiderohet gjerësisht sundimtari i vendit. Slogani "Shal ket!" ("Plak ik ") është bërë një nga sloganet kryesore të protestave.
A MUND TË RRËZOHET QEVERIA?
Ky është një terren i panjohur për Kazakistanin. Vendi ka përjetuar demonstrata të mëdha edhe më parë: Në vitin 2016, pas miratimit të një ligji të debatuar për tokën. Dhe përsëri në vitin 2019, pas zgjedhjeve të diskutueshme që siguruan mbajtjen e Tokajevit në pushtet. Por kurrë më pare në këto përmasa.
Në një nga thirrjet e tij ndaj publikut të mërkurën, Tokajev u zotua të ndërmerrte reforma dhe la të kuptohet se liberalizimi politik ishte i mundur. Megjithatë komentet e tij më ashpra nga fundi i ditës, lanë të kuptohet se ai do të shkonte në një drejtim më represiv.
Megjithatë, për shkak se protestat në rrugë nuk kanë një focus të përcaktuar mirë, të paktën tani për tani, është e vështirë të parashikohet se si mund të përfundojnë ato. Por edhe nëse nuk arrijnë të rrëzojnë qeverinë, ka gjasa që ato t’i hapin rrugën një transformimi të thellë. Ajo që nuk është e qartë është se çfarë forme do të ketë ky transformim.