Në një kohë kur zgjedhjet presidenciale po afrojnë, Presidenti francez Emmanuel Macron ka ashpërsuar tonet ndaj francezëve të pavaksinuar, që përbëjnë pakicën në vend. Një zhvillim që u komentua si një përpjekje e dukshme për të fituar mbështetje nga votuesit e zakonshëm, por që rrezikon të thellojë ndasitë mbi këtë çështje.
Zoti Macron përdori një fjalë vulgare për të përshkruar strategjinë e tij për të ushtruar trysni ndaj atyre që refuzojnë vaksinat duke u kërkuar atyre të imunizohen kundër COVID-it.
Gjuha e tij e hidhur dominoi transmetimet e lajmeve të mërkurën.
“Të pavaksinuarit, dua t'i irritoj. Dhe kështu ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, deri në fund. Kjo është strategjia”, tha ai gjatë një interviste në Pallatin Presidencial Elysee me një panel lexuesish të kësaj gazete. (Në këtë citim fjala “irritoj” është një perifrazim i fjalës vulgare që ai përdori. )
Presidenti centrist dhe i zëshëm 44-vjeçar, shprehu gjithashtu dëshirën për të rikandiduar për zgjedhjet presidenciale të prillit. Megjithatë, ai tha se po pret që të deklarojë zyrtarisht kandidaturën sepse përqëndrohet fillimisht tek pandemia.
Komentet e zotit Macron vijnë ndërsa ligjvënësit po debatojnë me forcë rreth masave të reja që do të lejonin vetëm të vaksinuarit të marrin pjesë në aktivitete gjatë kohës së lirë, sikurse e ngrëna jashtë. Më shumë se 91% e të rriturve në Francë janë plotësisht të vaksinuar.
Qëllimi i zotit Macron është "të tërheqë vëmendjen" dhe "e që konkurentët e tij të zhduken, sipas modelit Trump", shkruante eksperti i komunikimit politik Philippe Moreau Chevrolet në Twitter.
Është gjithashtu një mënyrë për të drejtuar gishtin tek njerëzit që nuk janë vaksinuar si përgjegjës për situatën, në vend që të mbahet përgjegjës për numrin rekord të infeksioneve, shkruante ai më tej.
Gazetari Frédéric Says, një vëzhgues i politikës franceze, tha në radion France Culture se duket se zoti Macron dëshiron të "krijojë avamtazh mbi zemërimin e shprehur nga shumë votues francezë. Zoti Macron po i përgjigjej pyetjes së një gruaje që shprehte indinjatën për anulimin e operacioneve të planifikuara për personat e vaksinuar, ndërsa pacientët e pavaksinuar po zënë shumicën e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv.
Komentuesit vunë në dukje se vërejtja duket të jetë edhe më befasuese vetëm tre javë pasi Macron shprehu keqardhjen se kishte lënduar ndjenjat e njerëzve me disa komente.