Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me rritjen më të lartë të rasteve me koronavirus, nxënësit në të gjithë vendin po përballen me ndryshime të shpejta dhe të papritura që kanë për qëllim pëarandalimin e përhapjes së infeksioneve.
Your browser doesn’t support HTML5
Nxitur nga varianti Omiicron, numri mesatar i rasteve të reja me COVID-19 në ShBA është më shumë se 400 mijë në ditë, dyfishi i shifrës së para një jave dhe trefishi i të dhënave të para dy javëve.
Kjo ka bërë që zyrtarët e shkollave të rishqyrtojnë planet e tyre për rikthimin e nxënësve në klasa, pas pushimeve të dimrit, periudhë që përfshinte festimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Shkollat në Los Anxhelos nuk do të hapen deri më 11 janar, ndërsa nxënësit duhet të sjellin një test negativ për COVID-19 në mënyrë që të lejohen në mjediset shkollore.
Testimet janë të detyrueshme edhe për nxënësit në Uashington DC, ku mësimi rifillon të mërkurën.
Shkollat në Çikago dhe Siatëll sugjerojnë që nxënësit të testohen para rikthimit, por testimi nuk është i detyrueshëm.
Shtimi i infeksioneve ka bërë që shumë shkolla të mos kenë një numër të mjaftueshëm mësuesish si dhe personelin e duhur për zhvillim të mësimit.
Nisur nga kjo situatë shkollat në Miluaki, Klivland, Detroit dhe Filadelfia vendosën të rifusin në përdorim mësimin në distancë përmes internetit, sikur edhe është vepruar gjatë pjesës më të madhe të pandemisë.
Shtimi i infeksioneve me COVID nuk po ndikon vetëm tek shkollat. Instituti Smithsonian njoftoi se disa nga muzetë kryesorë në Uashington do të mbyllen, ose do të punojnë me orar të reduktuar për të paktën 12 ditë, për shkak të mungesave të mëdha të stafit.
Shumë kompani fluturimi, krahas sfidave nga moti i keq i dimrit, janë detyruar të anulojnë fluturimet për mungesë të ekuipazheve për shkak të lejeve për arsye shëndetësore.