Sondazhi: Demokracia në SHBA e kërcënuar

Një sondazh i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara zbuloi se shumica e amerikanëve mendojnë se demokracia dhe sundimi i ligjit në vend është nën kërcënim.

Gjashtëdhjetë e gjashtë për qind e të anketuarve në sondazhin e rrjetit “CBS News”, të publikuar të dielën, thanë se demokracia është disi, ose shumë e kërcënuar, me 33 për qind që thonë se demokracia është e sigurt.

Sondazhi vjen disa ditë përpara përvjetorit të parë të sulmit të 6 janarit në Kapitol, gjatë të cilit mbështetësit e presidentit të atëhershëm Donald Trump hynë në sallat e Kongresit, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e Presidentit Joe Biden.

83% e të anketuarve thanë se nuk i mbështesin veprimet e njerëzve që hynë me forcë në Kapitol.

Shumica e pjesëmarrësve në sondazh i kategorizuan veprimet e pjesëmarrësve në sulmin ndaj Kapitolit si kryengritje, një përpjekje për të përmbysur qeverinë e Shteteve të Bashkuara, një përpjekje për të përmbysur zgjedhjet për të mbajtur zotin Trump në pushtet dhe si një protestë që shkoi shumë larg.

Ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e këtij viti për anëtarë të Kongresit, 68% e të anketuarve thanë se e shihnin sulmin e 6 janarit si një shenjë të dhunës politike në rritje në vend, ndërsa 62% e të anketuarve thanë se presin dhunë nga pala humbëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Dy të tretat e të anketuarve thanë se e konsiderojnë Presidentin Biden fituesin legjitim të zgjedhjeve të vitit 2020, një shifër afërsisht e ngjashme me atë të një sondazhi të gazetës Washington Post dhe Universitetit të Merilendit, të publikuar të shtunën.

45% të të anketuarve në sondazhin e gazetës Washington Post dhe Universitetit të Merlindit, thanë se zoti Trump kishte një përgjegjësi të madhe për sulmin ndaj Kapitolit, ndërsa 28% thanë se ai nuk kishte aspak përgjegjësi për këtë.

Në këtë sondazh kishte gjithashtu një rritje të numrit të njerëzve që thanë se ndonjëherë veprimet e dhunshme të qytetarëve kundër qeverisë mund të jenë të justifikuara. 34% e të anketuarve në sondazhin e fundit e mbështetën këtë, krahasuar me 23% në vitin 2015 dhe 13% në 1995.