Mali i Zi përforcon masat kundër COVID-it

  • Ali Salaj

Nga data 2 janar 2022, do të nisin të zbatohen kufizime të reja lidhur me hyrjen në Malin e Zi. Si shtetasit malazezë ashtu edhe ata të huajt duhet të paraqesin në të gjitha pikat kufitare dëshmi që jo vetëm janë vaksinuar plotësisht, por dhe që nuk u ka kaluar më shumë se 6 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.

Njoftimi u bë sot nga ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë.

Por zonja Bojoviq tha se “shtetasit e Malit të Zi dhe të huajt me qëndrim të përkohshëm, mund të hyjnë në vend pa këto dëshmi, por do të duhet të vetë-izolohen për 10 ditë, që mund të ndërpritet jo më herët se tre ditë pas një testi negativ për COVID-in”.

Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe disa masa të reja në luftën kundër koronavirusit, të cilat do të zbatohen nga 31 dhjetori deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.

Restorantet, kafenetë apo hotelet, do të punojnë me orar të kufizuar nga data 31 dhjetor deri më 1 janar. Po kështu ndalohet grumbullimi në vende publike të mbyllura.

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 1507 raste të reja me COVID-19, ndërsa 3 persona kanë humbur jetën.

Sipas autoriteteve shëndetësore ka një rritje me 81% të rasteve të reja të regjistruara në dy javët e fundit.

Numri më i madh i rasteve u regjistrua në Podgoricë (811), Nikshiq (112), Cetinë (106), Kotorr (103), ndërsa në Ulqin u regjistruan 8 raste.