Maqedoni e Veriut: Dimitar Kovaçevski merr mandatin për formimin e qeverisë

  • Isak Ramadani

Presidenti maqedonas Stevo Pendarvoski i dorëzoi të mërkurën mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të ri të Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski.

Zoti Kovaçevski ka një afat prej njëzet ditësh që të formojë qeverinë e re. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se pret që qeveria e re të zgjidhet deri më 17 janar. Shumica parlamentare ka siguruar 64 vota, që janë të mjaftueshme për miratimin e qeverisë.

Zoti Kovaçevski tha se qeveria e re duhet t’u përgjigjet sfidave serioze që presin vendin, për të kapërcyer probleme të vjetra që pengojnë përparimin dhe arritjen e synimeve strategjike.

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedoni e Veriut: Dimitar Kovaçevski merr mandatin për formimin e qeverisë

Ai theksoi nevojën e kthimit të besimit të qytetarëve tek institucionet, ndërsa tha se qeveria e re do t’i përkushtohet zhvillimit ekonomik të vendit.

"Maqedonia e Veriut është një shtet i vogël që nuk mund t'i lejojë vetes përçarje politike dhe debate pafund që dëmtojnë reformave të nevojshme", u shpreh zoti Kovaçevski.

Ndërkohë, opozita maqedonase shikon tek zoti Kovaçevski vazhdimin e politikave të ish-kryeministrit Zoran Zaev.

Sfidat kryesore që e presin qeverinë e ardhshme të drejtuar nga Dimitar Kovaçevski janë problemi me Bullgarinë rreth historisë dhe identitetit të maqedonasve etnikë dhe bisedimet me Bashkimin Evropian për anëtarësim në bllok. Shkupi shpreson për një zgjidhje të shpejtë të problemit me qeverinë e re në Sofje.