Pandemia e koronavirusit ka rritur varfërinë e fëmijëve dhe ulur cilësinë e arsimit, ndërkohë që një shqetësim i rritur mbeten rastet e dhunës. Vetëm në Bashkinë e Gjirokastrës janë menaxhuar këtë vit 31 raste të fëmijëve në mbrojtje ku denoncimet kanë nisur të vijnë edhe nga zonat rurale. Shqipëria ka përmirësuar kohët e fundit legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve pas incidenteve të rënda të krimit dhe dhunës ndaj fëmijëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Pak kohë më parë siluetat e vendosura nga Organizata Botërore e Fëmijëve UNICEF në Qendrën Historike të Gjirokastrës mbartnin sejcila nga një mesazh: atë të viktimavë të dhunës ndaj fëmijëve.
Vetëm për vitin 2021, Bashkia e Gjirokastrës ka menaxhuar 31 fëmijë në nevojë për mbrojtje, tre prej të cilëve raste të dhunës dhe 4 raste me fëmijë të larguar nga familja.
Në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin nuk kanë munguar këtë vit edhe incidentet e rënda me persona të akuzuar për ngacmime dhe dhunë seksuale ndaj fëmijëve.
Drejtoresha e Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore në Bashkinë e Gjiroakstrës, Albana Allushi thotë se në dy raste të kohëve të fundit policia ka arrestuar bashkëjetuesit dhunues të fëmijëve, ndërsa 10 raste të tjera janë ndjekur në qendrën e posaçme kundër dhunës që funksionon në këtë bashki.
“Ka ardhur në rritje numri i denoncimeve dhe ajo që evidentohet është numri i lartë i denoncimeve që vijnë edhe nga zonat rurale. Duke iu referuar përbërjes së rasteve ajo që shihet është se ato evidentohen në familje me nivel të ulët ekonomik dhe arsimor", thotë ajo.
Ndërsa Diana Haxhiaj, koordinatore e sektorit kundër dhunës në Policinë e Gjirokastrës thotë se në bashkëpunim me njësitë arsimore policia po i ndërgjegjëson si fëmijët edhe shtresat e tjera të popullsisë për denoncimin e rasteve.
"Këto aktivitete janë shtrirë kryesisht në grupmoshat në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të të gjithë Qarkut të Gjirokastrës. Për hir të së vërtetës dhuna ka qenë prezente edhe më përpara por për shkak të ndjeshmërisë, për shkak të turpit që mbartin vetë disa vepra penale, për shkak të frikës, rastet nuk janë denoncuar. Për këtë Policia e Shtetit organizon herë pas here aktivitete ndërgjegjësuese bashkëlidhur gjithë aktorëve të tjerë si arsimi, qeverisja vendore dhe vetë prindërit për t`u njohur me ndryshimet dhe për të parë interesin më të lartë të fëmijës, sepse kjo është pasqyruar dhe tek këto ndryshimet e fundit ligjore", thotë Diana Haxhiaj.
Policia ka tani një qendër të posacme të intervistimit të fëmijëve në rastet e denoncimeve të dhunës ndaj tyre. Herë pas here thotë zonja Haxhiaj kryhen trajnime për specialistët e sektorit nisur edhe nga përmirësimet e fundit ligjore.
"Ka një sektor që fillon në qendër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit sic është Sektori Kundër Dhunës dhe Mbrojtjes së të Miturve dhe është e shpërndarë në gjithë drejtoritë vendore. Për shkak të ndryshimeve në legjislacionin shqiptar si Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve apo procedurat standarte për shumë vepra që lidhen me këtë kategori Policia e Shtetit organizon trajnime me specialistët në këtë sector, të dedikuara vetëm për dhunën tek fëmijët", thotë Diana Haxhiaj.
Sipas të dhënave zyrtare pandemia e koronavirusit ka rritur varfërinë e fëmijëve dhe ulur cilësinë e arsimit ndërkohë që në Shqipëri statistikat e kësaj periudhe flasin edhe për rritjen e rasteve të dhunën në familje.
Zonja Allushi thotë se shumica e rasteve të fëmijëve të dhunuar evidentohen pikërisht në këto familje.
“Ajo që evidentohet më shumë është numri i fëmijëve që janë ekspozuar ndaj dhunës si rezultat i konfliketve që lindin mes prindërve në familjet e tyre. Për këtë arsye në një qendër të posaçme të hapur nga Bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë prej vitti 2019 ofrohet shërbim psikologjik, shërbim ligjor dhe zhvillohen me fëmijët, viktima të dhunës, edhe aktivitete të ndryshme", thotë zonja Allushi.
Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për Kriminalitetin, në Shqipëri gjatë vitti 2020 u regjistruan 48 procedime për keqtrajtim të të miturve nga 27 që ishin regjistruar në vitin 2019, me një rritje prej rreth 78%.
Edhe këtë vit shifrat paraprake flasin për ritje të dhunës ndaj të miturve.
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërveprim të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e fëmijëve që dhunohen.