Të mërkurën Kina i doli në mbrojtje programeve të saj ndërkombëtare të shkëmbimit shkencor, në prag të dënimit të një profesori të Universitetit të Harvardit, i akuzuar për fshehjen e lidhjeve të tij me një program rekrutimi të drejtuar nga Pekini.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha se Kina menaxhon shkëmbime të tilla në të njëjtat linja si Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.
Agjencitë dhe zyrtarët amerikanë nuk duhet të "stigmatizojnë" programe të tilla, por "në vend të kësaj duhet të bëjnë diçka të dobishme për Kinën dhe SHBA-në, në drejtim të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit shkencor", tha zoti Zhao.
Charles Lieber, 62 vjeç, ish-shef i departamentit të Kimisë dhe Biologjisë Kimike në Universitetin e Harvardit, u deklarua i pafajshëm nën akuzat për deklarata të rreme tatimore dhe fshehjen e një llogarie bankare në Kinë.
Avokati i tij mbrojtës, Marc Mukasey, ka argumentuar se prokurorëve u mungonin provat për ta akuzuar zotin Lieber.
Prokurorët argumentuan se zoti Lieber, i cili u arrestua në muajin janar, fshehu me vetëdije përfshirjen e tij në planin e Kinës, të ashtuquajtur ‘Një Mijë Talente’, për të mbrojtur karrierën dhe reputacionin e tij. Programi kinez është krijuar për të rekrutuar persona me njohuri mbi teknologjinë e huaj dhe pronësinë intelektuale, të cilët mund t'i japin sekrete Kinës.
Prokurorët thanë se zoti Lieber e mohoi përfshirjen e tij gjatë hetimeve nga autoritetet amerikane, mes tyre Instituti Kombëtar i Shëndetit, që i ka dhënë atij miliona dollarë financime për kërkime shkencore.
Zoti Lieber gjithashtu fshehu të ardhurat e tij nga programi kinez, përfshirë 50,000 dollarë në muaj nga Universiteti i Teknologjisë në Wuhan, rreth 158,000 dollarë shpenzime vetjake dhe më shumë se 1.5 milionë dollarë në grante, sipas prokurorëve.
Në këmbim të këtyre parave, thanë prokurorët, zoti Lieber ra dakord të publikojë artikuj, të organizojë konferenca ndërkombëtare dhe të aplikojë për patenta në emër të universitetit kineze.
Çështja është një nga më të rëndësishmet që po trajton Departamenti amerikan i Drejtësisë, në kuadër të atij që njihet si "Nisma e Kinës".
Ky program, që ka filluar në vitin 2018 për të frenuar spiunazhin ekonomik të Kinës, është përballur me kritika se po dëmton kërkimin akademik dhe se po bën një profilizim racor të studiuesve kinezë.
Qindra anëtarë të Universiteteve Stanford, Yale, Berkeley, Princeton, Temple, si dhe tjera kolegje të njohura, i kanë kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, t'i japë fund këtij programi.
Akademikët thonë se përpjekja vendos në rrezik konkurrencën e vendit në kërkime dhe teknologji dhe se ajo ka patur efekt frenues në rekrutimin e studiuesve të huaj. Akademikët ankohen gjithashtu se hetimet kanë synuar më së shumti studiues me origjinë kineze.
Që prej arrestimit të tij në janar të vitit 2020 zoti Lieber ka qenë me leje administrative me pagesë nga universisteti i Harvard-it.