Në Shqipëri, të dhënat e pagave të mbi 637 mijë qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, po qarkullojnë lirisht përmes aplikacionit whatsapp. Prokuroria bëri të ditur se ka nisur menjëherë hetimet. Qeveria nga ana e saj tha se nuk rezulton të ketë ndodhur ndonjë eksport dixhital i bazës së të dhënave, duke folur megjithatë për një "ndërhyrje kriminale në bazën e të dhënave të pagave. Presidneti Ilir Meta e cilësoi publikimin e të dhënave një shkelje flagrante dhe një skandal të përsëritur, duke kujtuar publikimin e të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve pak para zgjedhjeve. Ndërsa Partia Demokratike është e bindur se dhe të dhënat që po qarkullojnë së fundmi kanë qenë pjesë e strategjisë së qeverisë për qëllimet e saj elektorale
Materiali që po qarkullon lirisht nëpër telefonat e qytetarëve të shumtë përmban të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, e gjthashtu numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar, përfshirë dhe pozicionin e punës.
Prokuroria e Tiranës, bëri të ditur se ka nisur hetimet. Në fokus janë Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve shoqërore, dy institucionet që i zotërojnë këto të dhëna.
Zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga bëri të ditur se “analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar - prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim”dhe se ky dokument rezulton të jetë “një bashkim i disa copave të ndryshme”, duke qenë se disa formulime nuk i korrespondojnë formatit zyrtar. Megjithatë në deklaratën e qeverisë flitet për “ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve” gjë për të cilën njoftohet se Ministria e Financave po përgatit denoncimin në Prokurori.
Your browser doesn’t support HTML5
Mbi qarkullimin e këtyre të dhënave u shpreh dhe presidenti Ilir Meta. Ai foli për “shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës” e duke e cilësuar “një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve”.
Para zgjedhjeve të 25 Prillit portal Lapsi.al, zbuloi se të dhënat personale të 900 mijë qytetarëve, kishin përfunduar në duart e Partisë Socialiste për qëllime elektorale. Për hetimin e nisur mbi këtë rast nuk ka ende asnjë informacion. Socialistët i dolën në mbrojtje skemës së patronazhistëve, ndërse vetë kryeministri Edi Rama, nuk e konsideroi problem publikimin e të dhënave personale. Kjo çështje ishte një nga shqetësimet e ngritura dhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtar për zjedhjet e 25 prillit.
Partia Demokratike u shpreh sot e bindur se dhe kjo listë, që i përket Janarit të këtij viti, është sipas saj pjesë e strategjisë së parties në pushtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. Nënkryetari Enkelejd Alibeaj tha se "pagat dhe të dhënat sensitive të qytetarëve janë tanime në pazar, në duart e keqbërësve" dhe se përgjegjës për atë që e cilësoi "skandal të përmasave të jashtëzakonshme" është kryeministri Rama.