Mbrojtja e pyjeve nga rreziqet që shkaktojnë ndryshimet klimatike

Your browser doesn’t support HTML5

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike që u mbajtnë Glasgow u konsiderua si jetike për shkurtimin e gazeve të dëmshme për planetin. I krijuar para 70 viteve, rezervati i parë kombëtar natyror në Mbretërinë e Bashkuar po shikon drejt së ardhmes, duke mbjellë mijëra pemë për t’u mbrojtur nga ndryshimet klimatike.

Ky pyll i lashtë me pisha në Kaledoni ekziston prej mijëra vitesh. Në vitin 1951 autoritetet e shpallën “Beinn Eighe” në malësinë Skoceze si rezervatin e parë kombëtar natyror të Mbretërisë së Bashkuar, duke mbrojtur këta gjigandë të lashtësisë. “Beinn Eighe” është një masiv malesh të mbrojtura nga shteti.

70 vite më pas, mbrojtësit e kësaj bukurite natyrore po përgatiten për të ardhmen. Që nga viti 2019, atje janë mbjellë mbi 23,000 pemë, duke zgjeruar dhe mbrojtur tokat pyjore.Rreth 800 mijë fidanë janë mbjellë që nga krijimi i rezervatit në vitin 1951 dhe këtë vjeshtë do të mbillen afro 8 mijë fidanë të tjerë.

“Gjatë 70 viteve të fundit, qëllimi ynë kryesor është që të ndërlidhim së bashku këto fragmente të pyjeve shekullore dhe të përpiqemi të zgjerojmë tokën pyjore sa më shumë që të jetë e mundur”, thotë Ian Sargen, menaxher i rezervateve natyrore me agjencinë qeveritare NatureScot, që mbron trashëgiminë natyrore të Skocisë.

Disa nga pishat në masivin “Beinn Eighe” janë më shumë se 350 vjeçare dhe studiuesit thonë se përbërja e tyre gjenetike është gjithashtu e dallueshme.

Hulumtimet kanë treguar që pas epokës së fundit të akullajave, pishat në masivin “Beinn Eighe” janë përhapur përmes një rruge tjetër tek pishat në pjesë të tjera të Skocisë. Studimet e fundit shkencore tregojnë se pishat kanë një larmi gjenetike të rrallë. Në vitin 2019, kjo zonë u deklarua si njësia e parë në Mbretërinë e Bashkuar për Mbrojtjen Gjenetike.

“Është shumë e rëndësishme që të mbledhim të gjitha farat nga rezervati lokal natyror për të ruajtur qëndrueshmërinë gjenetike ose larminë gjenetike të kësaj zone specifike. Ana gjenetike e pishave është pak më e ndryshme, ndaj kjo është arsyeja që duam të mbledhim të gjitha farat këtu për të ruajtur të veçantën e saj”, thotë zoti Sargent.

Agjencia qeveritare skoceze NatureScot thotë se masivet e çmuara pyjore thithin çdo vit më shumë se 30 mijë ton gaze të dëmshme të shkaktuara nga efekti serë. Kjo sasi është e barabartë me heqjen nga përdorimi të 100 mijë automjeteve në vit, thotë NatyreScot.

Një studim i publikuar në fillim të shkurtit të këtij viti, paralajmëron për mundësinë e përballes me rrezikun që shkaktojnë thatësirat ekstreme gjatë 20 viteve të ardhshme, si rezultat i ndryshimeve klimatike.

“Ndërsa në të kaluarën kishim ndoshta një thatësirë ekstreme çdo 20 vite, tani ka të ngjarë që thatësira ekstreme të përsëritet çdo tre vjet”, thotë Fairlie Kirkpatrick Baird, i cili drejtoi hulumtimet.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre mund të ndihmojnë autoritetet të drejtojnë metodat e zbutjes së efekteve dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë ndaj situatave ekstreme të motit.