Lufta gati 20 vjeçare në Afganistan ishte më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2001, ushtria amerikane rrëzoi me shpejtësi qeverinë talebane, e cila kishte strehuar terroristët e al-Kaidës, përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Por, pavarësisht vitesh mbështetjeje ndërkombëtare për Afganistanin, javët e fundit të luftës shënuan ardhjen e talebanëve në pushtet, tërheqjen kaotike amerikane dhe një sulm terrorist masiv që shkaktoi rreth 200 viktima, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.
Your browser doesn’t support HTML5
Lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara mori fund.
Me al-Qaida-n e dobësuar prej kohësh në Afganistan, Presidenti Joe Biden i tha Pentagonit se ishte koha për të sjellë trupat në vend.
“Ushtria realizoi misionin që i ishte ngarkuar në Afganistan, të parandalonte vendin të bëhej strehë e sigurtë për një sulm terrorist, ose pikënisje për një sulm terrorist ndaj nesh”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.
Ushtria amerikane kishte shpresuar që partnerët afganë të ishin të gatshëm për të luftuar talebanët. Por talebanët u futën në Kabul në mes të gushtit, duke krijuar panik teksa nisën evakuimet amerikane në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai.
“Kishte shumë kaos dhe konfuzion. Vetë presidenti i Afganistanit sapo ishte larguar jashtë vendit me aeroplan. Askush nuk e kishte parashikuar atë që po ndodhte”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi Kriby.
Forcat afgane, të trajnuara dhe të pajisura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për 20 vjet, u shpërbënë në më pak se 20 ditë. Disa nga forcat afgane theksuan mungesën e ushqimit, municionit dhe mbështetjes ajrore.
Udhëheqësit lokalë në rajone të ndryshme shpejtuar të bënin marrëveshje me talebanët, duke i detyruar të tjerët të dorëzoheshin ose të ikin.
“Pavarësisht se ishin në një luftë 20 vjeçare në Afganistan, askush nuk dine gjë. Ata nuk e kuptuan udhëheqjen ushtarake dhe udhëheqja politike nuk e kuptoi me të vërtetë se kë po luftonin në Afganistan, nuk i kuptonin talebanët dhe al-Qaida-n, dhe nuk i kuptuan marrëdhëniet mes këtyre të dyjave”, thotë për Zërin e Amerikës Thomas Joscelyn, analist me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
SHBA ndihmoi në evakuimin e 124,000 personave në pak javë. Por përpjekja u dëmtua nga një sulm terrorist i Shtetit Islamik, që vrau afro 200 vetë, duke përfshirë 13 ushtarë amerikanë.
Kjo u pasua me një sulm amerikan me dron, që sipas Pentagonit, kishte për qëllim të godiste terroristët e Shtetit Islamik, por që gabimisht vrau 10 civilë të pafajshëm.
Ndërkohë evakuimi la pas qindra qytetarë amerikanë dhe mijëra aleatë afganë.
Gjatë muajve që pasuan, grupet e të drejtave njoftuan për vrasje hakmarrëse të afganëve që punuan me amerikanët ndërsa ekonomia u shkatërrua pas ardhjes së talebanëve në pushtet.
Martin Griffiths, Shefi i OKB-së për Çështjet Humanitare, thotë se gjendja në Afganistan është shumë e rëndë.
“Rënia e ekonomisë është shumë më e dhunshme, e rëndë dhe më urgjente se sa ishte parashikuar. Menduam se vetëm ndihma humanitare do të mjaftonte për të kaluar dimrin. Tani e dimë që nuk mjafton.”
OKB-ja thotë se Shteti Islamik-Khorasan, dikur i kufizuar në zona të vogla të Afganistanit, tani është zgjeruar në çdo provincë. Kombet e Bashkuara thonë se këtë vit janë pesëfishuar sulmet e tyre kundër talebanëve dhe civilëve.
Zyrtarët amerikanë janë zotuar vazhdimisht se do të përdorin aftësitë përmes dronëve për të goditur çdo terrorist në Afganistan që planifikon të sulmojë Amerikën.
Një një bisedë me Zërin e Amerikës, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se Amerika është e përqendruar ndaj çdo kërcënimi.
“Të sigurohemi që u kushtojmë vëmendje kërcënimeve ndërsa ato evoluojnë dhe mbetemi tërësisht të fokusuar ."
Por ushtria amerikane tani ka vetëm rreth 1-2% të aftësive që dikur kishte për të vëzhguar Afganistanin, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, duke e bërë më të vështirë mision.
Ndërkohë e ardhmja nën sundimin taleban mbetet e pasigurt për afganët. Zalmay Khalilzat ka qënë i dërguar i posaçëm amerikan për Afganistanin.
“Ka sinjale të përziera, disa pozitive, disa jo. Shpresojmë që gjithçka të jetë pozitive. Alternativa është një përsëritje e së shkuarës, e cila do të sillte vuajtje për popullin afgan, konflikt dhe ndërhyrjet e huaja.”
Bota po vëzhgon nëse talebanët do të qeverisin në mënyrë efektive dhe do të respektojnë të drejtat e njeriut...dhe nëse grupet terroriste do të lulëzojnë përsëri ndërsa thurin plane për të sulmuar Perëndimin.