Pandemia dhe emigrantët sjellin forcimin e rregullave kufitare të BE-së

Bashkimi Evropian nisi të martën një modifikim të madh të rregullave mbi lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në dhe përreth Evropës, pasi masat kufizuese për koronavirusin dhe frika nga një "sulm hibrid" nga Bjellorusia duke përdorur emigrantët po shtojnë presionin kundër regjimit të udhëtimit pa pasaporta.

Zona Shengen përfshin 26 vende, duke përfshirë vendet jo-anëtare të BE-së, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Heqja e kontrolleve kufitare mes tyre ka qenë një ndihmë për biznesin, tregtinë dhe udhëtimet.

Pothuajse 1.7 milionë njerëz jetojnë në një vend anëtar të Shengenit dhe punojnë në një tjetër, ndërsa rreth 3.5 milionë njerëz kalojnë një kufi të brendshëm çdo ditë.

“Kriza e refugjatëve e vitit 2015, vala e sulmeve terroriste në territorin evropian dhe pandemia globale e Covid-19 e kanë shtuar presionin mbi vendet e zonës së Shengenit”, tha nënpresidenti i Komisionit Evropian Margaritis Schinas.

“Ky është një hap i balancuar, i domosdoshëm. Nuk është fundi i historisë, por mjafton që Shengeni të mbetet i paprekur”, u tha zoti Schinas gazetarëve në Strasburg të Francës, ndërsa paraqiti propozimet, të cilat duhet të miratohen nga vendet e BE-së dhe ligjvënësit për të hyrë në fuqi.

Sistemi i zonës Shengen për udhëtimet ka qenë në prag të kolapsit që nga viti 2015, kur mbi 1 milionë njerëz hynë në BE pa autorizim, kryesisht sirianë që kërkonin strehim nga lufta. Një numër sulmesh ekstremiste në Francë, Belgjikë dhe Gjermani sollën gjithashtu shtrëngimin e kontrolleve kufitare nga disa vende të BE-së.

Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë në fillim të vitit 2020, kur goditi pandemia. Të paktën 17 vende në zonën Shengen rikthyen kontrollet nga paniku, duke rënduar trafikun dhe duke shkaktuar kaos në zinxhirin e furnizimit.

Kohët e fundit, qeveria e presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko filloi të ftonte njerëz në Bjellorusi, shumë prej të cilëve irakianë, duke u premtuar se do t'i ndihmonte ata që të hynin në Evropë përmes kufijve të vendit me Lituaninë, Poloninë dhe Letoninë. Ky veprim u pa si hakmarrje nga njeriu që dikur konsiderohej diktatori i fundit i Evropës, pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Bjellorusisë në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve dhe shtypjen e protestuesve paqësorë.

Për të shtrënguar kufijtë e jashtëm të BE-së në raste urgjente, dega ekzekutive e bllokut, Komisioni Evropian, po propozon lehtësimin e përkohshëm të normave të azilit për rastet kur një vend jo-anëtar i shtyn emigrantët drejt Evropës ose i inkurajon ata në mënyrë aktive të shkojnë atje, një veprim për të cilin akuzohet Bjellorusia.

Numri i vendkalimeve kufitare ku njerëzit regjistrohen për azil mund të reduktohet. Regjistrimi i aplikimeve mund të zvarritet për katër javë, në vend të 10 ditëve që e kërkon rregulli i tanishëm. Njerëzit mund të mbahen në qendra të përkohshme strehimi në kufi deri në 16 javë, ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Dëbimet e shpejta do të lejohen për personat të cilëve nuk do t’u lejohet hyrja në një vend të zonës Shengen.

Për të ndaluar vendet anëtare që të vendosin kontrolle kufitare të çastit ndërmjet njëri-tjetrit brenda zonës së Shengenit, kontrollet e përkohshme mund të rikthehen për shkak të rreziqeve shëndetësore ose ato të sigurisë për gjashtë muaj, dhe mund të rinovohen deri në dy vjet.

Vendet do të duhet të ofrojnë një raport që justifikon rinovimin e këtyre masave. Komisioni, i cili propozon ligjet e BE-së dhe mbikëqyr mënyrën e zbatimit të tyre, do të duhet të miratojë çdo zgjatje përtej afatit 18 mujor.

Gjashtë vende në zonë kanë mbajtur në fuqi masat për kontrollet kufitare në gjashtë vitet e fundit duke i rinovuar ato çdo gjashtë muaj për të anashkaluar rregullin që nuk i lejon ato të jenë të përhershme. Ndër to është Franca, e cila ka patur vazhdimisht kontrolle kufitare për arsye sigurie që nga sulmet terroriste vdekjeprurëse të vitit 2015 në Paris.