SHBA, vazhdojnë përpjekjet e pastrimit në zonat e goditura nga tornadot

Mejfild, Kentaki.

Po vazhdojnë përpjekjet e pastrimit dhe rimëkëmbjes pasi mbi 20 tornado shkatërruan një numër qytetesh në gjashtë shtete amerikane. Autoritet thonë se tornadot kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 70 personave.

Shkatërrim e me dhjetra të vdekur kanë lënë pas tornadot që goditën 6 shtete amerikane.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, vazhdojnë përpjekjet e pastrimit në zonat e goditura nga tornadot

“Kjo ka të ngjarë të jetë një nga valët më të fuqishme të tornadove në historinë e vendit. Ne do ta kalojmë këtë situatë së bashku dhe qeveria federale nuk do të braktisë komunitet e rajoneve të goditura”, tha Presidenti Biden.

Pjesa më e madhe e qytetit të vogël të Mejfildit në Kentaki është shkatërruar nga stuhitë e fuqishme.

“Gjithë qyteti ynë duket thjesht si një zonë e shkatërruar. Kemi marrë ndihmën më të jashtëzakonshme nga ekipet e emergjencës, të cilat po bëjnë një punë shumë të mirë”, tha kryebashkiakja e qytetit të Mejfildit, Kathy O’nan.

Ndërtesa, ku më parë Myna Smith trajtonte pacientët e saj, është dëmtuar rëndë.

“Pacientët prisnin në këtë hapësirë”, thotë ajo.

Tani, klinika e saj e shëndetit mendor është shkatërruar nga tornadot.

Një fabrikë e prodhimit të qirinjve është shkatërruar dhe ekziston frika që 110 punëtorë ndodheshin brenda saj kur ajo u godit nga stuhia.

“E gjithë ndërtesa u shemb”, tha Kyanna Parsons Perez në një video që kishte filmuar disa minuta pas rrëzimit të ndërtesës.

Pamjet e filmuara me një dron tregojnë nivelin e shkatërrimit në Boulin Grin të Kentakit, pas goditjes nga një tornado me erëra që arritën shpejtësinë prej 240 kilometrash në orë.

“Kjo është shumë e rëndë, njerëzit humbën shtëpitë dhe jetën e tyre. Kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë”, tha Jimmy Flemming.

Tornadot shkatërruan një objekt magazinimi të kompanisë Amazon në Eduardsvil të Ilinoit, ku zyrtarët kanë konfirmuar vdekjen e të paktën gjashtë njerëzve.

“Sot kërkoj nga ju që të luteni për viktimat dhe familjet e tyre”, tha kryebashkiaku i Eduardsvilit, Art Risavy.

Dëme të mëdha dhe viktima ka patur edhe në shtetin e Arkansasit.

Pas shpalljes së gjendjes emergjente nga Presidenti Biden, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, së bashku me agjencinë federale të emergjencave, FEMA do udhëtojë në Kentaki për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga tornadot.