Personalitete të larta të Uashingtonit u mblodhën të enjten në Kongresin amerikan për të nderuar Bob Dole, i cili vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare nga kanceri në mushkëri.
Trupi i Bob Dole, një senator republikan i Kansasit që shërbeu për dekada dhe një kandidat presidencial në vitin 1996, do të qëndrojë në kupolën e Kapitolit deri të premten. Ai është personi i 33-të të cilit i bëhet ky nderim.
“Robert Joseph Dole e ka vendin këtu, në këtë tempull të lirisë dhe tempull të mundësive. Bob Dole e donte këtë Kongres”, tha Presidenti Joe Biden gjatë ceremonisë.
Dole u plagos rëndë në Luftën e Dytë Botërore. Dora e tij e djathtë u bë e paralizar nga një dëmtim në fushëbetejë nga të shtënat e gjermanëve në Itali. Ai kaloi vite duke përshëndetur votuesit dhe zyrtarët e Uashingtonit me dorën e majtë, ndërsa shtrëngonte një stilolaps në dorën e djathtë për të dekurajuar njerëzit të bënin një shtrëngim normal duarsh.
Në jetën politike, Dole ishte shpesh në mosmarrëveshje me republikanët më konservatorë, por për më shumë se tre dekada ai ishte pjesë e zyrtarëve më të lartë të partisë. Ai shihej në Uashington si një politikan pragmatist.
Dole kundërshtoi shumë nga programet "Shoqëria e Madhe" të Presidentit Lyndon Johnson, por mbështeti Aktin e të Drejtave Civile të vitit 1964 dhe Aktin e të Drejtave të Votimit të vitit 1965.
Në fillim të viteve 1970, Dole ishte kryetari i partisë republikane, ishte kandidat për nënpresident së bashku me kandidatin presidencial Gerald Ford në vitin 1976 i cili humbi garën për një mandat të plotë. Bob Dole mbajti role drejtuese në Senat.
Funerali i Bob Dole do të mbahet të premten në Katedralen Kombëtare. Ajo do të jetë një ceremoni private dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore.