Ish-ndihmësi kryesor i zotit Pence bashkëpunon me komisionin e 6 janarit 

Marc Short

Ish-shefi i kabinetit të ish-Nënpresidentit Mike Pence ka pranuar të bashkëpunojë me Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit. Lajmi u konfirmua nga një person në dijeni të kësaj çështjeje, i cili foli në kushte anonimiteti.

Marc Short ishte në Kapitol më 6 janar dhe po shoqëronte zotin Pence. Ky i fundit u detyrua ta linte në mes angazhimin e tij në Senat atë ditë, kur një grup personash u futën me dhunë në Kapitol, e disa prej tyre bënin thirrje për varje të tij. Komisioni i ka nisur një fletëthirrje për të dëshmuar zotit Short, që siç tha i njëjti burim, ai e ka pranuar.

Më 6 janar, Presidenti Donald Trump po kritikonte hapur Nënpresidentin Pence ndërsa një grup personash hynë me dhunë në ndërtesë, kjo pasi zoti Pence nuk pranoi që në mënyrë të njëanshme të bllokonte procesin e numërimit të votave elektorale ndërsa Kongresi po çertifikonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Zoti Pence nuk kishte asnjë fuqi ligjore për ta bërë një gjë të tillë, por kjo nuk e ndali trysninë nga ana e Presidentit Trump.

Në rolin e ndihmësit kryesor të zotit Pence, zoti Short ishte gjithashtu i pranishëm edhe në disa takime në Shtëpinë e Bardhë përpara sulmit të dhunshëm në Kapitol. Në një moment, Presidenti Trump ndaloi hyrjen e zotit Short në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, pasi ai kishte kundërshtuar trysninë ndaj zotit Pence për të ndërhyrë tek rezultati legjitim i zgjedhjeve.

Lajmi se zoti Short do të dëshmojë para komisionit të 6 janarit u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv CNN.