Çfarë fshihet pas tensioneve Rusi-Ukrainë?

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë janë të shqetësuar se shtimi i trupave ruse pranë Ukrainës mund të sinjalizojë planet e Moskës për një sulm ndaj vendit fqinj.

Kremlini këmbëngul se nuk ka një qëllim të tillë dhe ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë se kanë ngritur pretendime për të mbuluar planet e tyre të supozuara agresive.

Nuk është e qartë nëse përqendrimi i trupave ruse paralajmëron një sulm të afërt. Presidenti Vladimir Putin i ka kërkuar Perëndimit që të përjashtojnë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ndaj shtimi i trupave në kufi mund të reflektojë përpjekjen ruse në mbështetje të mesazhit të saj.

RRËNJËT E PËRBALLJES RUSI-UKRAINË

Ukraina ka qënë pjesë e perandorisë ruse për shekuj me radhë para se të bëhej një republikë sovjetike dhe fitoi pavarësinë në vitin 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ai vend është përpjekur për t’u larguar nga trashgimia perandorake ruse dhe për të krijuar lidhje gjithnjë e më të ngushta me Perëndimin.

Një vendim i presidentit ukrainas Viktor Janukoviç, me prirje drejt Kremlinit, për të refuzuar një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Moskën shkaktoi protesta masive që çuan në rrëzimin e tij në vitin 2014.

Rusia reagoi duke aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë dhe duke mbështetur një kryengritjeje separatiste që shpërtheu në lindje të Ukrainës.

Ukraina dhe Perëndimi akuzuan Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve për të mbështetur rebelët. Moska e mohoi këtë, duke thënë se rusët që iu bashkuan separatistëve ishin vullnetarë.

Më shumë se 14,000 njerëz kanë humbur jetën në luftimet që shkatërruan qendrën industriale lindore të Ukrainës të njohur si Donbas.

Në vitin 2015 një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania ndihmoi në dhënien fund të përleshjeve në shkallë të gjerë, por përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike kanë dështuar ndërsa përleshjet sporadike kanë vazhduar përgjatë vijës së tensionuar ndarëse.

Në fillim të këtij viti, rritja e shkeljeve të armëpushimit në lindje dhe një përqendrim i trupave ruse pranë Ukrainës nxitën frikën e luftës, por tensionet u zbutën kur Moska tërhoqi pjesën më të madhe të forcave të saj pas manovrave në prill.

SHTIMI I PRANISË USHTARAKE NË KUFI

Zyrtarët e zbulimit amerikan thanë javën e kaluar se Rusia po planifikon të vendosë rreth 175,000 trupa dhe pothuajse gjysma e tyre janë tashmë të stacionuara përgjatë pikave të ndryshme pranë kufirit me Ukrainën në përgatitje për një sulm të mundshëm që mund të nisë në fillim të vitit 2022.

Ukraina është ankuar se Moska ka mbajtur mbi 90,000 trupa pranë kufirit të dy vendeve pas manovrave masive ushtarake në Rusinë perëndimore në vjeshtë.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se njësi ushtrarake janë pozicionuar pranë qytetit Yelnya, rreth 260 kilometra në veri të kufirit ukrainas. Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov u tha ligjvënësve ukrainas të premten se numri i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia vlerësohet në 94,300 duke paralajmëruar se një "përshkallëzim në shkallë të gjerë" mund të ndodh në janar.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës thotë se Rusia ka rreth 2,100 trupa ushtarake në pjesën lindore të vendit të kontrolluar nga rebelët dhe se oficerët rusë kanë të gjitha postet komanduese mbi forcat separatiste. Moska e ka mohuar vazhdimisht praninë e trupave të saj në Ukrainën lindore.

Rusia nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me numrin dhe vendndodhjen e trupave të saj, duke thënë se vendosja e tyre në territorin e saj nuk duhet të shqetësojë askënd.

ÇFARË KËRKON MOSKA?

Kremlini e ka akuzuar Ukrainën se nuk ka respektuar marrëveshjen e paqes së vitit 2015 dhe ka kritikuar Perëndimin se ka dështuar ta inkurajojë Ukraninën që të zbatojë marrëveshjen. Marrëveshja ishte një grusht shteti diplomatik për Moskën, duke kërkuar që Ukraina t'u jepte autonomi të gjerë rajoneve rebele dhe t'u ofronte një amnisti gjithëpërfshirëse rebelëve.

Nga ana tjetër, Ukraina ka vënë në dukje shkeljet e armëpushimit nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe këmbëngul se ekziston një prani e vazhdueshme e trupave ruse në rajonet rebele, pavarësisht mohimeve të Kremlinit.

Mes akuzave të ndërsjella, Rusia ka refuzuar një takim katërpalësh me Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë, duke thënë se është i padobishëm duke patur parasysh refuzimin e Ukrainës për t'iu përmbajtur marrëveshjes së vitit 2015.

Moska ka kritikuar ashpër SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s për mbështetjen me armë të Ukrainës dhe mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta, duke thënë se kjo inkurajon “skifterët” ukrainas që të përpiqen të rimarrin me forcë zonat e kontrolluara nga rebelët.

Më herët këtë vit, Presidenti Vladimir Putin tha në mënyrë ogurzezë se një përpjekje ushtarake e Ukrainës për të rimarrë zonat rebele do të kishte "pasoja të rënda për shtetësinë ukrainase".

Presidenti Putin i ka përshkruar vazhdimisht rusët dhe ukrainasit si "një popull" dhe pretendon se Ukraina ka marrë padrejtësisht tokat historike ruse gjatë periudhës sovjetike.

Putini ka theksuar fuqimisht se aspiratat e Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO përbëjnë një vijë të kuqe për Moskën dhe gjithashtu ka shprehur shqetësime rreth planeve të disa vendeve të NATO-s për të ngritur qendra trajnimi ushtarak në Ukrainë. Presidenti rus tha se kjo do t'u jepte atyre (NATO-s) një bazë ushtarake atje edhe pa u anëtarësuar Ukraina në NATO.

Javën e kaluar, Putini theksoi se Rusia do të kërkojë "garanci të besueshme dhe afatgjata sigurie" nga SHBA dhe aleatët e saj "që do të përjashtonin çdo lëvizje të mëtejshme të NATO-s drejt lindjes dhe vendosjen e sistemeve të armëve që na kërcënojnë në afërsi të territorit rus".

Ai u shpreh se "kërcënimet po rriten në kufirin tonë perëndimor", me NATO-n që e vendos infrastrukturën e saj ushtarake më afër Rusisë dhe i ofroi Perëndimit të angazhohej në bisedime thelbësore për këtë çështje, duke shtuar se Moskës do t'i duheshin jo vetëm garanci verbale, por "garanci ligjore. ”

Këshilltari i Presidentit Putin për çështjet e jashtme , Yuri Ushakov, tha se udhëheqësi rus do të theksojë këto garanci në një video-konferencë me Presidentin Joe Biden të caktuar për të martën, por shumë ish-diplomatë amerikanë dhe NATO-s thonë se çdo kërkesë e tillë ruse ndaj Bidenit do të ishte e dështuar. Të premten, vetë Presidenti Biden tha se ai nuk “pranon vijën e kuqe të askujt”.

A ËSHTË REAL KËRCËNIMI PËR NJË SULM NGA RUSIA?

Rusia hodhi poshtë njoftimet për një sulm, si një fushatë shpifëse perëndimore dhe akuzoi se pretendimet mund të fshehin synimin e Ukrainës për një sulm në lindje. Ukraina mohon se ka plane të tilla.

Disa analistë e interpretojnë shtimin e trupave si një demonstrim nga Putini se Rusia është e përgatitur për të bindur NATO-n të respektojë linjat e kuqe të Moskës dhe të ndalojë dërgimin e trupave dhe armëve në Ukrainë.

Në nëntor Putini vuri në dukje me kënaqësi se paralajmërimet e Moskës më në fund po vihen re dhe shkaktuan një "stres të caktuar" në Perëndim. Ai shtoi: "Është e nevojshme t'i mbajmë në atë gjendje për aq kohë sa të jetë e mundur, në mënyrë që të mos u shkojë mendja të organizojnë një konflikt në kufijtë tanë perëndimorë, gjë që nuk na duhet."

Zyrtarët amerikanë e pranojnë se qëllimet e Moskës janë të paqarta, por vënë në dukje sjelljen e Rusisë në të kaluarën si shkak për shqetësim. Presidenti Biden u zotua të premten se do ta bëjë "tejet të vështirë" për Putinin që ta sulmojë Ukrainën, duke thënë se një sërë nismash të reja që vijnë nga administrata e tij synojnë të pengojnë agresionin rus.