Ndërsa shumë vende të botës gjenden në alarm prej frikës së variantit të ri Omicron të koronavirusit, dhe janë duke shtuar masat shtrënguese, në Shqipëri, në mënyrë të pashpjegueshme testimet kanë ardhur në ulje që prej muajit tetor, duke zbritur javën e fundit (30 nëntor -6 dhjetor) në kuotat më të ulta që që orej gati 13 muajsh.
Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në 7 ditët e fundit, numri i testimeve ra në një total prej 13781 tamponësh, ose në një mesatare ditore prej 1968 testimesh. Krahasuar me javën pararendëse bëhet fjalë për një tkurrje drastike prej 32.4 përqind. Krahasuar me mesataren ditore në shtator, rënie është dyfish më e thellë, prej 61.5 përqind.
Eshtë pikërisht ulja e numrit të tamponëve që ka sjellë dhe reduktimin, thuajse në të njejtën masë, edhe të rasteve të reja, të cilat në total gjatë javës së fundit zbritën në 2152 të prekur, ose në një mesatare ditore prej 307 të infektuarish. Në Shqipëri, një mesatare e tillë ditore ka qenë dhe në fillim të gushtit, por kur ndërkohë testimet ishin më shumë se dyfishi, mbi 4600 në ditë.
E hëna (6 dhjetor) ishte dita me më pak të infektuar, 172, të identifikuar në 27 bashki të vendit: 78 në Tiranë, 16 në Berat, 11 në Vlorë, 10 në Fier, 6 në Durrës, Gjirokastër, 4 në Kamëz, Lushnje, 3 në Lezhë, Kurbin, Vorë, Mallakastër, Përmet, Kuçovë, 2 në Mirditë, Kavajë, Patos, Selenicë, Sarandë, Tepelenë, 1 në Kukës, Has, Krujë, Dibër, Delvinë, Skrapar, Gramsh.
Që ulja e totalit të të prekurve në javën e fundit, ka qenë pasojë, thjesht dhe vetëm e rënies së testimeve, vërtetohet dhe nga fakti që pozitiviteti jo vetëm nuk është ulur, por ka pësuar një rritje të lehtë me 0.2 pikë përqindje, duke u ngjitur në 15.6 përqind, një nivel shumë i lartë. Në Itali, aktualisht llogaritet në pak më shumë se 3 përqind, ndërsa në Francë, mbi 6 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Sa i përket fataliteteve, për të 5-ën javë radhazi ishin në ulje. Gjatë javës së fundit, ato thuajse u përgjysmuan, duke zbritur në 23 viktima. Të hënën u njoftua për 5 humbje jete: një qytetar 81 vjeç nga Berati, tre qytetarë nga Tirana 85-91 vjeç, dhe një 90 vjeçar nga Lushnja. Ato duket se reflektojnë një përmirësim të situatës dhe në spitale, ku numri i pacientëve ka rënë, e po ashtu dhe i atyre që trajtohen në terapi intensive. Sipas të dhënave të fundit të ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID po marrin trajtim 145 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje më të rënduar.