Përgatitjet për takimin e demokracisë në SHBA 

Democracy Summit

Më 9 dhe 10 dhjetor, Presidenti amerikan Joe Biden do të organizojë një Takim virtual për Demokracinë, në të cilin do të marrin pjesë udhëheqës botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat për të luftuar autoritarizmin, korrupsionin dhe për të mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut. Takimi mbahet në një kohë dobësimi të demokracisë në shumë pjesë të botës, çka ka ngritur pikëpyetje edhe mbi pozitën e demokracisë edhe në vetë Shtetet e Bashkuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Përgatitjet për takimin e demokracisë në SHBA

Rikthimi i kontrollit ushtarak në Mianmar, sulmi ndaj sistemit zgjedhor të Brazilit nga vetë presidenti i këtij vendi, vrasja e presidentit të Haitit dhe disa përpjekje grushti shteti në kontinentin e Afrikës janë vetëm disa nga shembujt të tronditjes së demokracisë në botë në vitin 2021 në sfondin e Takimi Virtual të Demokracisë që do të organizohet nga Presidenti amerikan Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor.

“Kjo është një mundësi për udhëheqësit botërorë që të diskutojnë sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen qeveritë demokratike dhe se si ato mund t’u shërbejnë më mirë qytetarëve të tyre bazuar në shtyllat e samitit për forcimin e demokracisë, mbrotjen nga autoritarizmi, luftimin e korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Takimi është pjesë e premtimit të fushatës së zotit Biden për të forcuar demokracinë në mbarë botën dhe në të do të marrin pjesë 110 vende.

“Mobilizimi, ndërgjegjësimi dhe rritja e përqendrimit kolektiv në këto çështje të rëndësishme të demokracisë kanë qenë tashmë hapa shumë të dobishëm që ka ndërmarrë administrata e zotit Biden”, thotë Christopher Walker nga organizata “National Endowment for Demacracy”.

Xi Jinping dhe Vladimir Putin nuk janë ftuar në këtë samit.

Ndërsa takimi nuk ka të bëjë në mënyrë drejtpërdrejt me bashkimin e botës kundër Rusisë dhe Kinës, ai ofron një mundësi për Presidentin Biden që të mobilizojë vendet e botës kundër asaj që ai e sheh si ndikim autoritar në rritje të këtyre dy vendeve.

“Bashkimi i demokracive është në shumë mënyra një strategji për të krijuar një vijë ndarëse midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe Rusisë e Kinës. Samiti gjithashtu i detyron vendet pjesëmarrëse të vendosin se në cilën anë të kësaj vije ndarëse janë ato, duke i vënë shumë prej tyre në një pozitë të padëshiruar. Vendet si Koreja e Jugut, dhe Gjermania, vërtet varen nga Kina për begatinë e tyre ekonomike”, thotë ekspertja Stacie Goddard nga kolegji Wellesley.

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Le Yucheng tha se samiti do të dëmtojë solidaritetin global.

"Ai i ndan vendet në nivele të ndryshme hierarkie, i etiketon ato si demokratike ose jodemokratike dhe drejton gishtin nga sistemet demokratike të vendeve të tjera", tha ai.

Gjatë takimit, udhëheqësit do të inkurajohen të shpallin angazhime të ndryshme për të forcuar demokracinë, por është e paqartë nëse këto do të kthehen në veprime. Megjithatë, sinjalizimi i vlerave demokratike amerikane është i rëndësishëm.

“Kjo është e rëndësishme sepse tregon një shkëputje mjaft domethënëse nga politika e administratës Trump. Unë mendoj se koncepti i "vitit të veprimit" që ka njoftuar administrata Biden do të jetë vërtet një provë për të parë nëse një vit më vonë ky angazhim do tëfunksionojë”, thotë Steven Feldstein nga organizata “Carnegie Endowment for International Peace”.

Disa kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje të drejtën morale të Shteteve të Bashkuara për të organizuar samitin pas sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që kërkonin të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Administrata e Presidentit Biden thotë se pikërisht aftësia e Shteteve të Bashkuara për të pranuar se nuk janë të përsosura dhe për t'u përballur me këto çështje në mënyrë transparente, është një forcë unike për demokracitë, që takimi synon të demonstrojë.