Organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë BE-në për shkelje të Konventës së Gjenevës

Kriza e emigrantëve në kufirin e Polonisë, që fuqitë perëndimore thonë se e ka nxitur udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko, tërhoqi vëmendje ndërkombëtare në nëntor.

Por azilkërkuesit në kufirin Poloni-Bjellorusi nuk janë të vetmit që po përballen me sfida duke u sjellë vërdallë mes kufijve tokësorë dhe detarë të Evropës, thonë organizatat e të drejtave dhe vëzhgues të tjerë.

Gjatë gjithë vitit, migrimi i parregullt drejt Evropës është rritur. Më shumë se 160,000 emigrantë kanë hyrë në Bashkimin Evropian këtë vit, kryesisht përmes Ballkanit dhe Italisë. Kjo është një rritje prej 70 për qind nga viti 2020, kur kufizimet e udhëtimit për shkak të pandemisë mendohet se kanë ndikuar tek qarkullimi i migrantëve dhe një rritje prej 45 për qind krahasuar me vitin para pandemisë.

Dhe ndërsa migrimi i parregullt po rritet përsëri, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se BE-ja dhe qeveritë e vendeve po anashkalojnë ose shkelin gjithnjë e më shumë ligjet ndërkombëtare humanitare në këmbënguljen e tyre për të parandaluar hyrjen ose qëndrimin e refugjatëve të luftës, azilkërkuesve dhe emigrantëve ekonomikë në kontinent.

Ata thonë se udhëheqësit evropianë duken të vendosur të shmangin një përsëritje të vitit 2015, kur më shumë se një milion azilkërkues nga Lindja e Mesme, Afrika Nën-Sahariane dhe Azia Qendrore mbërritën në Evropë, duke trazuar politikën e kontinentit dhe duke i dhënë hov forcimit të partive politike anti-migrante.

Gjithnjë e më shumë po qarkullojnë raporte për refugjatët dhe emigrantët që zmbrapsen me forcë drejt kufijve të jashtëm të BE-së. Po kështu, ka njoftime për refugjatë që nuk lejohen të paraqesin kërkesat për azil.

Polonia miratoi një ligj në gusht që përcakton se emigrantët që kalojnë kufirin duhet "të kthehen në kufirin shtetëror" dhe "të urdhërohen të largohen menjëherë nga vendi", duke mos i lejuar ata të bëjnë një kërkesë për azil. Këto klauzola shkelin ligjet evropiane të të drejtave të njeriut dhe Konventën e Gjenevës të vitit 1951, e cila parashikon të drejtat e refugjatëve si dhe detyrimet ligjore të 146 shteteve nënshkruese për t'i mbrojtur ato.

Shtetet nënshkruese nuk lejohen të vendosin gjoba për refugjatët që hyjnë në vendet e tyre ilegalisht në kërkim të azilit, as nuk u lejohet të dëbojnë refugjatët (pa proces të rregullt). Sipas konventës, refugjatët nuk duhet të kthehen mbrapsht me forcë, në vendet e tyre nga ikën.

Azilkërkuesve duhet t'u sigurohet qasje falas në gjykata dhe shteteve nënshkruese u kërkohet t'u ofrojnë refugjatëve ndihmë administrative. BE-ja, agjencia e saj kufitare, Frontex dhe qeveritë e vendeve të bllokut, thonë se respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, por sipas disa hetimeve të fundit nga organizatat e të drejtave të njeriut, rregullat tani po shpërfillen në mënyrë rutinë dhe sistematike.

"Vendet anëtare të BE-së kanë miratuar rregulla gjithnjë e më kufizuese dhe ndëshkuese azili dhe po fokusohen në reduktimin e flukseve të migracionit, me pasoja shkatërruese," paralajmëroi së fundmi Amnesty International.

"Ne jemi dëshmitarë të vuajtjeve të jashtëzakonshme njerëzore të shkaktuara nga marrëveshja BE-Turqi dhe nga bashkëpunimi BE-Libi, të cilat të dyja po lënë burra, gra dhe fëmijë të bllokuar dhe të ekspozuar ndaj vuajtjeve dhe abuzimeve," thotë organizata e të drejtave në lidhje me marrëveshjet e arritura me Turqinë dhe Libinë për të bllokuar emigrantët që shkojnë në Evropë dhe për ripranimin e tyre kur ata dëbohen nga Evropa.

Në rastin e Libisë, migrantët shpesh kthehen në kampet e paraburgimit të drejtuara nga milicitë ku Amnesty International dhe të tjerë kanë dokumentuar shkelje të tmerrshme, përfshirë dhunën seksuale ndaj burrave, grave dhe fëmijëve.

Në një raport të botuar në fillim të këtij viti, Amnesty vuri në dukje se"shkeljet dhjetëvjeçare kundër refugjatëve dhe emigrantëve vazhduan të pandërprera në qendrat libiane të paraburgimit gjatë gjashtë muajve të parë të 2021, pavarësisht premtimeve të përsëritura për t'i shqyrtuar ato.”

Lighthouse Reports, një konsorcium jofitimprurës holandez gazetarie, ka dokumentuar dhjetëra raste në të cilat avionët e vëzhgimit të Frontex-it ishin në afërsi të varkave me emigrantë të kapur më vonë nga Roja Bregdetare Libiane.

"Ekziston një model i qartë i dallueshëm. Varkat e rrezikuara pikasen, aktorët evropianë dhe roja bregdetare libiane komunikojnë me njëri-tjetrin" thanë studiuesit e Lighthouse në një raport të këtij viti.

Frontex-i i ka mohuar vazhdimisht akuzat, por ligjvënësit në Parlamentin Evropian e akuzuan agjencinë, pas një hetimi katër mujor, se nuk "përmbushte detyrimet e saj për të drejtat e njeriut".

Në Ballkan, Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare dhe OJQ të tjera thonë se kanë mbledhur dëshmi nga qindra refugjatë që thonë se janë rrahur në Bosnje-Hercegovinë përtej kufirit kroat nga burra me shkopinj, uniformat e të cilëve janë pa simbole.Vendet periferike të Evropës kanë ngritur gjithashtu gardhe kufitare dhe kanë ndërtuar mure përballë perspektivës së ardhjes së mundshme të më shumërefugjatëve afganë.

Greqia ka përfunduar një mur 40 kilometra përgjatë kufirit të saj tokësor me Turqinë dhe ka instaluar një sistem të automatizuar mbikëqyrjeje në përpjekje për të frenuar arritjen në Evropë të azilkërkuesit. Vende të tjera po ndjekin këtë shembull dhe e kanë nxitur BE-në të ndihmojë me financim.

Kritikët thonë se ndërtimi i murit tani është në kontrast me kritikat që udhëheqësit evropianë bënë katër vjet më parë kundër presidentit amerikan të atëhershëm Donald Trump mbi planin e tij për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të Amerikës me Meksikën.

"Ne kemi një histori dhe një traditë vlerësimi kur rrëzohen muret dhe ndërtohen ura," tha Federica Mogherini, shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së.

Ndërsa mbrojtësit e të drejtave të migrantëve ankohen për shkelje të të drejtave, në Evropë po shtohen thirrjet për ndryshime që duhen bërë si në Konventën e Gjenevës ashtu edhe në ligjet humanitare të bllokut. Kritikët e konventës thonë se ajo u hartua kryesisht për të përballuar zhvendosjen e popullsisë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ata thonë se ajo nuk parashikon natyrën dhe shkallën e modeleve shumë më komplekse të migrimit të shekullit të 21-të.

Javën e kaluar në Budapest, Balázs Orbán, një zëvendësministër në qeverinë hungareze, tha se ligjet aktuale të BE-së për migracionin duhet të zëvendësohen. Sistemi aktual ligjor "po nxit fluksin e migrantëve të paligjshëm dhe nuk po ndihmon për t'i ndaluar ata në kufij," tha ai.

"Kjo kornizë u krijua gjatë kohës së Konventës së Gjenevës në 1951, kur refugjatët nga Bashkimi Sovjetik duhej të akomodoheshin. Tani, kohët kanë ndryshuar," shtoi ai.