Barbadosi shkëputet nga monarkia britanike, bëhet republikë

Barbados Britain Farewell to Queen

Barbadosi hoqi dorë nga premitimi për besnikëri ndaj Mbretëreshës Elizabeth II të martën, duke u bërë republikë për herë të parë në histori.

Disa udhëheqës, personalitete dhe artistë, duke përfshirë Princin Charles dhe këngëtaren Rihanna, morën pjesë në ceremoninë që filloi të hënën vonë në një shesh popullor, ku statuja e një lordi të njohur britanik u hoq vitin e kaluar mes një lëvizjeje mbarëbotërore për të fshirë simbolet e shtypjes.

Barbados

Ceremonia u shoqërua me fishekzjarre në mesnatë, ndërsa Barbadosi u bë zyrtarisht një republikë, me ekrane të vendosura në të gjithë ishullin në mënyrë që njerëzit të mund të shikonin ngjarjen që shfaqte një orkestër me më shumë se 100 vetë dhe këngëtarë, poetë dhe kërcimtarë. Ceremonia u transmetua edhe në internet, duke nxitur një mori mesazhesh emocionuese nga banorë të këtij ishulli që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe më gjerë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe lirisë të gjithëve”, shkruante një shikues.

Përpjekja e Barbadosit për t'u bërë një republikë filloi më shumë se dy dekada më parë dhe kulmoi me Parlamentin e ishullit që zgjodhi presidentin e tij të parë muajin e kaluar me një shumicë prej dy të tretave të votave. Guvernatorja e Barbadosit, Sandra Mason u betua para agimit të martën, ndërsa ishulli shënoi 55 vjetorin e pavarësisë nga Britania.

"Siç u paralajmërua nga kryeministri ynë i parë ... ne nuk duhet të jemi më pjesë e një mjedisi kolonial", tha ajo. “Ne duhet të gjejmë një vend të ri për veten dhe shtetin e Barbadosit, në një botë më komplekse, më të përçarë dhe më të trazuar. Vendi dhe populli ynë duhet të ketë ëndrra të mëdha dhe të luftojë për t'i realizuar ato.”

72 vjeçarja Sandra Mason është një avokate dhe gjykatëse, e cila gjithashtu ka shërbyer në postin e ambasadores në Venezuelë, Kolumbi, Kili dhe Brazil. Ajo do të ndihmojë kryeministren Mia Mottley të udhëheqë ishullin e pasur të Karaibeve me më shumë se 300,000 banorë që varet nga turizmi, prodhimi dhe industria e financiare.

Barbadosi nuk kishte nevojë për leje nga Britania për t'u bërë republikë, megjithëse ishulli do të mbetet anëtar i Komonuelthit, një organizatë e përbërë nga vendet që dikur ishin pjesë e monarkisë britanike. Kjo ishte një ngjarje që Karaibet nuk e kishin përjetuar që nga vitet 1970, kur Guajana, Republika Dominikane dhe Trinidad dhe Tobago morën statusin e republikës.

Barbadosi fitoi pavarësinë nga Britania në nëntor të vitit 1966, më shumë se tre shekuj pasi kolonët anglezë mbërritën dhe e kthyen ishullin në një koloni të pasur të prodhimit të sheqerit që u mbështet në punën e qindra mijëra skllevërve afrikanë.

Në dekadat e fundit, ishulli ka filluar të distancohet nga e kaluara e tij koloniale. Në vitin 2005, Barbadosi hoqi dorë nga Këshilli Privy me bazë në Londër dhe zgjodhi Gjykatën e Drejtësisë së Karaibeve me bazë në Trinidad si gjykatën e saj përfundimtare të apelit. Më pas, në vitin 2008, propozoi një referendum për të marrë statusin e republikës, por ai u shty për një kohë të pacaktuar. Vitin e kaluar, Barbadosi njoftoi planet për të hequr dorë nga statusi i një monarkie kushtetuese dhe hoqi një statujë të zëvendës-admiralit britanik Horatio Nelson nga Sheshi i Heronjve Kombëtarë, ku u mbajt ceremonia festive e marrjes së statusit të republikës.

“Nga ditët më të errëta të së kaluarës sonë dhe mizoria e tmerrshme e skllavërisë, e cila njollosi përgjithmonë historinë tonë, njerëzit e këtij ishulli e bënë rrugëtimin e tyre me guxim të jashtëzakonshëm”, tha Princi Charles, i cili falënderoi zyrtarët e Barbadosit për ftesën që i bënë atij dhe tha se ishulli ka bërë arritje të shumta. “Liria, drejtësia dhe vetëvendosja kanë qenë udhërrëfyesit tuaj.”

Rihanna

Gjatë ceremonisë, kryeministrja Motley e nderoi me një çmim të lartë yllin e muzikës pop, Rihanna, duke i thënë asaj: "Vazhdoni të shkëlqeni si një diamant".

Flamuri, stema dhe himni kombëtar i Barbadosit do të mbeten të njëjta, por disa referenca do të ndryshojnë, tha përmes një shkrimi Suleiman Bulbulia, një kolumnist për gazetën “Barbados Today”. Ai tha se termat "mbretëror" dhe "kurorë" nuk do të përdoren më, kështu që Forca e Policisë Mbretërore të Barbadosit tani do të quhet Shërbimi i Policisë së Barbadosit dhe "tokat e kurorës" do të quhen "toka shtetërore".

“Ky është fillimi i një epoke të re”, shkroi ai. “Çdo banor i Barbadosit mund të aspirojë tani të bëhet kryetar i shtetit.”