Qyteti i Nju Jorkut pritet të heq statujën e Thomas Jefferson-it nga bashkia

Statuja e ish-presidentit Thomas Jefferson do të hiqet nga Bashkia e Nju Jorkut dhe do t’i jepet Shoqatës Historike të Nju Jorkut pasi disa anëtarë të Këshillit Bashkiak kundërshtuan praninë e saj. Ata e justifikuan qëndrimin e tyre me faktin se ish-presidenti Thomas Jefferson ishte pronar i qindra skllevërve.

Your browser doesn’t support HTML5

Qyteti i Nju Jorkut pritet të heq statujën e Thomas Jefferson-it nga bashkia

Dy orë larg Manhattanit, në një shtëpi të vogël në bregdet, jeton një nga pasardhësit e ish-presidentit Thomas Jefferson.

"Unë jam stërnipi i gjashtë i Thomas Jefferson-it", thotë Lucian K. Truscott.

Ai nuk dëshiron të përmendë shpesh faktin se është i lidhur me një nga themeluesit e Amerikës. Ai është mësuar të mos flasë për këtë.

"Unë kthehesha në shtëpi dhe thosha, 'Ne po studiojmë Thomas Jefferson-in dhe historinë amerikane'. Dhe nëna ime më thoshte: 'Mos e ngrini dorën për të thënë se jeni stërnipi i Thomas Jeffersonit, sepse nuk jeni më i mirë se fëmijët e tjerë në atë klasë'", thotë zoti Truscott.

Por lidhja e tij me presidentin e tretë të Shteteve të Bashkuara pati rëndësi, kur një komision në zyrën e kryebashkiakut diskutoi për heqjen e statujës së Thomas Jefferson-it nga Bashkia e Nju Jorkut. Anëtarët e komisionit folën me zotin Truscott disa herë gjatë debatit të tyre.

Pas një diskutimi të gjatë, ata vendosën që statuja t'i huazohej për një periudhë afatgjatë Shoqatës Historike të Nju-Jorkut, ku fillimisht do të vendoset në korridor dhe më pas do të zhvendoset në sallën e leximit.

Statuja origjinale prej bronzi ndodhet në Uashington. Të dy statujat i bleu dhe ia dhuroi qeverisë, Uriah Phillips Levy, një oficer hebre, pronar i pasurive të patundshme, investitor dhe filantrop, si mirënjohje për mbështetjen që Thomas Jefferson i ka dhënë lirisë së fesë.

Dy dekada më parë, fillimisht u ngrit pyetja nëse ishte etike të mbahej statuja e Jefferson-it përpara Bashkisë së Nju Jorkut.

“Kur ishim fëmijë, nuk na mësuan kurrë se Thomas Jefferson ishte një pronar skllevërish. Dhe nëse vizitonim Montiçellon, shtëpinë e tij, nuk dëgjohej asnjëherë fjala "skllav".

Lucian Truscott i kalon të gjitha pushimet e tij në Montiçello, prona familjare e Thomas Jefferson-it, por për zotin Truscott, ajo është thjesht një rezidencë verore.

“Kur isha fëmijë i vogël, në fakt u hodha në shtratin e Thomas Jefferson-it”, thotë ai.

Në vitin 2020, zoti Truscott bëri një shkrim për gazetën The New York Times, duke sugjeruar që një hero tjetër kombëtar të vendosej në Memorialin e Thomas Jeffersonit në Uashington.

Ai shprehu mendimin se vendi duhet të nderonte dikë, që ka praktikuar gjatë jetës atë që thoshte, në vend që të shkruante, se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë dhe të mos i zbatonte ato fjalë.

“Duhet të rrëfejmë të gjithë historinë tonë, jo vetëm pjesët e mira të saj, jo vetëm pjesët për figurat e famshme! Kjo është arsyeja pse unë sugjerova heqjen e statujës së Thomas Jefferson-it në Uashington, ose zhvendosjen e saj diku tjetër. Nuk e sugjerova këtë, sepse unë nuk e respektoj atë! Unë e respektoj atë!”, tha ai.

Në Bashkinë e Nju Jorkut pati mendime të ndryshme për këtë, por shumica votoi për heqjen e statujës nga shkallët e Bashkisë. Zoti Truscott e mbështeti vendimin. Dhe, ai vuri në dukje se Thomas Jefferson-i nuk ka patur ndonjë lidhje as me qytetin e Nju Jorkut dhe as me Bashkinë e tij.

Statuja do të zhvendoset në Shoqatën Historike të Nju Jorkut në prill.