Ligjvënësit amerikanë i pret një muaj i ngarkuar, pasi ata duhet të përballen me afate të mëdha buxhetore dhe miratimin e paketës së shpenzimeve prej 2 trilionë dollarësh për financimin e programeve të kujdesit shëndetësor, klimës dhe çështjeve sociale.
Ndërsa ligjvënësit u kthyen në Uashington të hënën, çështja më urgjente me të cilën ata përballën është financimi i qeverisë federale. Një marrëveshje e mëparshme e përkohshme që u arrit në fund të shtatorit vazhdoi financimin e agjencive qeveritare deri më 3 dhjetor, por tani duhet të arrihet një marrëveshje tjetër deri të premten për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer u zotua të hënën se Kongresi do të miratojë një projektligj të ri për të financuar qeverinë.
"Me kaq shumë çështje kritike, gjëja e fundit që popullit amerikan i duhet tani është një mbyllje e qeverisë", tha ai në një fjalim në Senat.
Anëtarë të personelit të Kongresit thanë se mund të ketë një votim që të mërkuren për financimin e qeverisë deri në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm.
Pasi miratimit të kësaj mase, Kongresi do të duhet të merret menjëherë me çështjen e rritjes së tavanit të borxhit. Nëse Kongresi nuk miraton masën për rritjen e tavanit të borxhit, qeveria amerikane mund të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj fianciare, një veprim që do të mund të shkaktonte probleme në tregjet e aksioneve dhe ekonominë globale.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen ka thënë se Kongresi ka afat deri më 15 dhjetor për të arritur një marrëveshje mbi rritjen e tavanit të borxhit, që do t’i jepte qeverisë mundësinë për të marrë më shumë borxhe për të paguar detyrimet e saj financiare.
Ligjvënësit po punojnë gjithashtu për miratimin e projektligjit vjetor të shpenzimeve për sektorin e mbrojtjes përpara fundit të vitit. Versioni i këtij viti ka një çmim prej rreth 768 miliardë dollarësh.
Demokratët në Kongres gjithashtu shpresojnë të marrin në shqyrtim një nga iniciativat kryesore të Presidentit Joe Biden në javët e ardhshme, miratimin në Senat të projektligjit 2 trilionë dollarësh, i cili përfshinë financimin e programeve për ndihma tatimore për familjet me fëmijë,strehimin, ngadalësimin e ndryshimimit të klimës dhe uljen e kostos së ilaçeve me recetë.
Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi paketën pa votën e asnjë republikani. Masa përballet me më shumë pasiguri në Senat, ku demokratët kanë një epërsi edhe më të vogël.