Në Shqipëri situata e pandemisë shënoi një përmirësim të lehtë të gjendjes gjatë javës së fundit (23-29 nëntor), ndërsa numri i viktimave, e po ashtu dhe i rasteve të reja u ulën. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës,,tregojnë se vdekjet ranë me 17 përqind, duke zbritur në 43 humbje jete, nga 52 në javën pararendëse. Në 24 orët e fundit, ministria e Shëndetësisë njoftoi për 3 viktima, një qytetar nga Himara 66 vjeç, një qytetare nga Korça 66 vjeçe, një qytetare nga Durrësi 83 vjeçe. E marta e shkuar, ishte dita me më shumë humbje jete, 10 të vdekur. Që nga nisja e pandemisë në mars të vitit të shkuar në Shqipëri janë rregjistruar 3092 humbje jete
Gjatë javës së fundit, rastet e reja zbritën në 3139 të infektuar, ose 6.1 përqind më pak se në periudhën 16-22 nëntor, kur ishin rregjistruar 103 raste më shumë. E hëna ishte dita me numrin më të ulët ,195 raste të identifikuara në 27 bashki: 63 në Tiranë, 23 në Fier, 18 në Durrës, 12 në Berat, 10 në Lushnje, 9 në Mallakastër, 8 në Vlorë, nga 5 qytetarë në Gjirokastër, Sarandë, Lezhë, Tropojë, 4 në Krujë, nga 3 qytetarë në Kurbin, Mat, Kuçovë, Skrapar, Librazhd, nga 2 qytetarë në Selenicë, Patos, Roskovec, nga 1 qytetar në Kukës, Himarë, Dropull, Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Memaliaj. Numri i ulët i të hënës, i dedikohet dhe reduktimit të ndjeshëm të testimeve, 1664 të tilla, shumë poshtë mesatares ditore të javës së shkuar, prej 2910 tamponësh. Në total, gjatë 7 ditëve të fundit janë kryer 20376 testime.
Edhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) shënoi për të dytën javë me radhë një rënie, duke zbritur në kuotën e 15.4 përqind, ose 1.1 pikë përqindje më pak. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Gjendja në spitale ka qenë thuajse e qëndrueshme, me një përmirësim të lehtë krahasuar me javën pararendëse. Numri i shtrimeve është luhatur mes 150 dhe 161 pacientëve, ndërsa i atyre që janë trajtuar në terapi intensive mes një minimum prej 15 dhe një maksimumi prej 23 të sëmurësh.
Edhe rastet aktive kanë rënë për të dytën javë me radhë. Të dhënat e së hënës, 29 nëntor, tregojnë se në të gjithë vendin janë 7.431 te prekur, nga të cilët, më shumë se gjysma në Qarkun e Tiranës, ndërsa në qarqet e tjera janë nga një maksimum prej 713 të prekurish në Fier, te një minimum prej 52 rastesh në Qarkun e Kukësit.