Festime në Vlorë për 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

  • Raimond Kola

Flamuri Kombëtar i Shqipërisë u ngrit sot në Vlorë në 109- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Qindra banorë të Vlorës dhe të ardhur nga hapësirat shqiptare dolën tek Monumenti i Pavarësisë në Sheshin e Flamurit, që sot ishte i rrethuar nga punimet ndërtimore.

Your browser doesn’t support HTML5

Festime në Vlorë për 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Krerët e lartë të shtetit shqiptar; Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla dhe drjetues vendorë morën pjesë në ceremoni duke kryer nderimet e rastit, por duke shmangur fjalimet. Më 28 Nëntor të vitit 1912, në Kuvendin e Vlorës, Ismail Qemali e shpalli Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur dhe drejtoi qeverinë e parë të shtetit shqiptar me ministra të zgjedhur nga të gjitha krahinat shqiptare.

Masat kufizuese të pandemisë nuk penguan emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por edhe qindra shqiptarë të Kosovës të udhëtojnë drejt Vlorës. Ministria e Brendshme shqiptare lehtësoi lëvizjen kufitare me Kosovën për shkak të festave.

Din Eminaj nga Peja tha se kishte jetuar prej vitesh në Zvicër dhe e kishte ëndërr të merrte pjesë në ceremoninë e flamurit në Vlorë.

“Më kujtohet kur kam qenë në Zvicër. I lutesha zotit a do ta kem mundësinë ta shoh një herë nga afër këtë flamur. Erdhi dita që Kosova u çlirua, Shqipëria e lirë, tani jemi bashkë këtu”, thotë ai.

Ndërsa Sokol Binaj tha se kishte lindur në këtë lagje ku ngrihet monumenti i Pavarësië në Vlorë dhe ndonëse ndodhej në emigrim sillte pothuaj çdo vit fëmijët në këtë ceremoni simbolike.

“Kam ardhur me gjithë familjen. Duam t’ua trasmetojmë brezave këtë ndjenjë të thellë që kemi ne për pavarësinë, për famamurin, për vendin tonë dhe për Ismail Qemalin”, thotë ai.

Po sot në Vlorë u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e aeroportit. Kompania “Mabetex” e biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli dhe kompania turke “YDA” janë përzgjedhur për ndërtimin me koncesion të këtij aeroporti.

Kryeminstri Rama tha në ceremoni se aeroportet janë mbështetësit kryesorë të turizmit një sektor që Shqipëria po e sheh me përparësi.

“Aeroportet janë motorrë të jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe progresi tërësor të vendeve”, theksoi kryeministri Rama.

Ndërsa Behgjet Pacolli e vlerësoi projektin si mjaft të rëndësishëm pëpr Shqipërinë por edhe si të tërheqjes së inevstitorëve.

20 organizata mjedisore në Shqipëri e kanë kundërshtuar projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, pasi sipas tyre cënon zonën e mbrojtur mjedisore Vjosë - Nartë dhe është në shkelje të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, të cilat Shqipëria i ka nëshkruar.