Më shumë vende po ndalojnë udhëtimet nga Afrika e Jugut pas zbulimit të variantit Omicron të koronavirusit. Zyrtarët në Afrikën e Jugut thonë se ky veprim është një lloj ndëshkimi, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi vendet për reagim të tepruar me ndalimin e udhëtimeve. Administrata e Presidentit Biden, që gjithashtu ka vendosur të ndalojë udhëtimet nga vendet e Afrikës jugore, tha se nuk do ta ndryshojë vendimin e saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Në mbarë botën po rritet shqetësimi rreth variantit të ri të Covid-19, të identifikuar për herë të parë këtë muaj në Botsuana.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka klasifikuar Omicronin si një "variant shqetësues" të koronavirusit.
"Aftësia e tij për të infektuar njerëzit e shëruar nga koronavirusi dhe personat e vaksinuar na ka bërë që t’i kushtojmë vëmendje këtij varianti", tha Dr. Anthony Fauci, drejtor i Instituti Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.
Shtetet e Bashkuara janë në listën e vendeve që kanë vendosur të ndalojnë udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe disa shtete të tjera afrikane. Urdhri për ndalimin e udhëtimeve nga këto vende hyn në fuqi të hënën.
"Ky variant ndoshta është tashmë i përhapur në shkallë globale. Ndalimi i udhëtimeve mund të ndihmojë në ngadalësimin e përhapjes së tij. Por, kjo masë nuk do të ketë një efekt të madh", thotë Dr. Ashish Jha, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Brown.
Zyrtarët në Afrikën e Jugut, të pakënaqur me ndalimin e udhëtimeve, thonë se vendi i tyre po ndëshkohet për programin e tij të avancuar gjenomik që ndihmoi në zbulimin e variantit Omicron.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke u përpjekur të zbusë zemërimin e Afrikës së Jugut, përshëndeti autoritetet e këtij vendi për identifikimin e variantit dhe për transparencën që ka treguar për këtë.
Por, administrata e Presidentit Biden mbrojti vendimin për ndalimin e udhëtimeve.
"Ne do t’i bëjmë gjërat hap pas hapi. Por, ne besojmë se vendimet që kemi ndërmarrë deri më tani kanë qenë të nevojshme", tha Nënpresidentja amerikane Kamala Harris.
Duke filluar nga sot, Izraeli tha se do të mbyll kufijt për vizitorët e huaj për dy javë. Deri më tani, autoritet në Izraeli kanë njoftuar për një rast të variantit Omicron.
Në Evropë, gjashtëdhjetë e një persona që mbërritën në Holandë me dy fluturime nga Afrika e Jugut, kanë rezultuar pozitiv për koronavirusin dhe janë në izolim.
"Ata do të testohen më tej për të mësuar nëse kemi të bëjmë me një variant të ri të koronavirusit", tha zyrtari holandez i shëndetësisë, Harm Groustra.
Gjermania ka identifikuar dy raste të variantit Omicron. Personat e infektuar kishin udhëtuar nga Afrika e Jugut.
Edhe në Itali është konfimuar një rast i infektimit me këtë variant në një udhëtar nga Mozambiku.
Ndërkohë, kompania Abbott Laboratories, një nga prodhuesit e mëdhenj të testeve të Covid-19 në Shtetet e Bashkuara tha se ka analizuar variantin Omicron dhe është e bindur se testet e saj mund ta diktojnë atë.