Ministria e Jashtme kineze bëri thirrje të martën kundër politizimit dhe spekulimeve lidhur me vendndodhjen e yllit kinez të tenisit Peng Shuai, dhe çështjes nëse ajo është mirë apo jo. Që nga momenti kur akuzoi një ish-politikan të rangut të lartë për sulm seksual, tenistja nuk u shfaq publikisht për disa javë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Zhao Lijian tha se Pekini është kundër çdo fjale e akti që politizon sportin, e që bie ndesh me frymën e Kartës Olimpike. Ai tha se tenistja është parë në disa aktivitete publike kohët e fundit.
Mediat shtetërore kineze kanë publikuar të tjera pamje filmike të Peng Shuait, e cilat shfaqet në një aktivitet me të rinj në Pekin, që u mbajt të dielën në mëngjes.
Ylli i tenisit nuk ishte parë që nga fillimi i këtij muaji, pasi akuzoi Zhang Gaolin, i cili ka shërbyer më parë në detyrën e ish-zëvendës kryeministrit, se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me të disa vite më parë. Mungesa e saj në publik nxiti thirrje ndërkombëtare drejtuar Pekinit për të dhënë informacione rreth saj, se ku ndodhej dhe nëse jeta e saj rrezikohej.
Zhdukja nga sytë e publikut dhe akuza e Peng ndaj ish-zyrtarit kinez ndodhi ndërsa Pekini përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore që fillojnë më 4 shkurt. Kina po përballet gjithashtu dhe me kritika ndërkombëtare lidhur me situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në vend.
Ndërkohë, Federata e Tenisit për femra kërcënoi se ta anulonte aktivitetin nëse Kina nuk garantonte sigurinë e Peng Shuait.