Zyrtarja e OKB-së, shqetësim mbi situatën e medias në Hungari

Raportuesja e Posaçme e OKB-së për Çështje të Lirisë së Mendimit dhe Shprehjes Irene Khan, ngriti të hënën shqetësimin lidhur me situatën në të cilët ndodhet media në Hungari, ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022. Gjatë një vizite në Budapest ajo foli për një mjedis mediatik të shtrembëruar, që ka vënë në pikëpyetje siç tha, pluralizmin dhe pavarësinë e medias. Që nga viti 2010, Kryeministri Viktor Orban e ka kthyer median publike hungareze në një zëdhënëse të bindur dhe aleatët e partisë së tij kontrollojnë një pjesë të mëdha të medias private.

Your browser doesn’t support HTML5

Zyrtarja e OKB-së, shqetësim mbi situatën e medias në Hungari

Gjatë një vizite në Budapest, Raportuesja e Posaçme e OKB-së Irene Khan u tha gazetarëve se kandidatët politikë nuk duhet të abuzojnë me lirinë e shprehjes duke krijuar një mjedis toksik dhune, urrejtjeje dhe përçarjeje.

"Unë shoh një mjedis të shtrembëruar mediatik në Hungari, ku pluralizmi, diversiteti dhe pavarësia e medias vihet në pikëpyetje. Ndaj, është e rëndësishme të sigurohet që në kontekstin e zgjedhjeve, të ketë raportim të drejtë, qasje mbi baza të drejta dhe të barabarta për të gjithë kandidatët, si dhe që mediat publike të ruajë një qasje të paanshme ndaj partive e kandidatëve të ndryshëm”, tha ajo.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të parat gjatë të cilave Kryeministri Orban do të përballet me një konkurrencë të vërtetë që nga marrja e pushtetit në vitin 2010. Qasja e tij këtë vit ka qenë gjithnjë e më radikale sa i takon politikave sociale, duke ashpërsuar gjuhën ndaj komunitetit LGBTQ dhe emigrantëve, një gjë që ka ndarë thellësisht hungarezët.

Partia Fidesz e zotit Orban mbështet një axhendë kristian-konservatore, e cila kundërshton liberalizmin perëndimor dhe nocionin e një shoqërie multikulturore që tërheq votuesit e saj kryesorë.

Që nga viti 2010, zoti Orban e ka kthyer median publike hungareze në një zëdhënëse të bindur dhe aleatët e partisë së tij kontrollojnë pjesë të mëdha të medias private. Gjatë viteve të fundit me dhjetra gazeta dhe transmetues kritikë ndaj zotit Orban, kanë ndryshuar pronarët e tyre.

Fondacioni për Shtypin dhe Median e Evropës Qendrore, i krijuar në vitin 2018 nga besnikët e zotit Orban, kontrollon më shumë se 500 organe meditiake, nga stacionet televizive tek gazetat. Qeveria ka mohuar vazhdimisht se ka cënuar lirinë e medias. Komisioni Evropian thotë se reklamat shtetërore po kanalizohen tek mediat pro-qeveritare, çka shihet si një formë e ndikimit indirekt politik mbi to.