Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli fitoren e saj në raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Prishtinës. Kur janë numëruar të gjitha votat e hedhura të dielën, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i kësaj partie, Përparim Rama, kryeson me mbi 51 për qind ndërsa kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia ka fituar 49 për qind të votave.
Zoti Rama tha në një konferencë me gazetarë se “do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës”.
Ndërsa zoti Vitia pranoi humbjen dhe duke uruar zotin Rama tha se “Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, tha ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abixhiku, tha se partia e tij shënoi fitore edhe në Istog, Fushë Kosovë, Viti dhe Junik.
Më herët, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shpalli fitoren në Gjakovë, Klinë dhe Rahovec.
Sipas rezultateve paraprake Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Kamenicë, Podujevë, Shtime dhe në Gjilan.
Partia Demokratike e Kosovës është fituese në Prizren, Gllogoc, Kaçanik, Vushtrri dhe Dragash.
Po, sipas rezultateve paraprake, Nisma Social Demokrate është fituese në Malishevë, ndërsa në komunën e Obiliqit, fituese është Nisma Qytetare për Obiliqin.
Në komunën e Mamushës, me shumicë turke, kryeson KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit, kandidati i Listës Serbe.
Rreth 38 për qind e afro 1 milion e 270 mijë qytetarëve më të drejtë votë morën pjesë në zgjedhjet e së dielës për kryetarët e 21 komunave. Shtatëmbëdhjetë komuna zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor.
Mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare ndoqën procesin e votimeve dhe sipas tyre “procesi nuk është përshkuar nga ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo besueshmërinë e tij”.
Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi, fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, ndërsa sot ishte në garë në 12 komuna, përfshirë edhe Prishtinën.
Lexoni edhe këtë Kosovë: Më shumë se gjysma e komunave në balotazh në zgjedhjet e para si provë për qeverisjen KurtiSipas rezultateve të të dyja raundeve, Lista Serbe ka fituar dhjetë komuna, e pasuar nga Partia Demokratike me 9, Lidhja Demokratike, shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5 komuna, ndërsa lëvizja Vetëvendosje, 4 komuna.
Zgjedhjet për pushtetin komunal ishin parë si një sprovë për lëvizjen Vetëvendosje në pushtet e cila më 14 shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare, fitoi mbi 50 për qind të votave.