Një mësuese nga shteti i Merilendit fitoi një çmim prej një milion dollarësh, për ndihmën që ajo ka dhënë për nxënësit e familjeve të varfra emigrante. Çmimi i dytë prej 100,000 dollarësh iu dha një të riu nga Sierra Leone, i cili zbuloi një mënyrë për të transformuar energjinë kinetike në energji elektrike për nxënësit e shkollave në vendin e tij. Çmimet u shpallën në një ceremoni virtuale në selinë e UNESCO-s në Paris.
Your browser doesn’t support HTML5
Çmimi "Global i Mësuesit" është një çmim që vlerëson arritjet në këtë profesion.
Kandidatët zgjidhen nga një panel ndërkombëtar i mësuesve, ekspertëve të arsimit, zyrtarë publikë, sipërmarrës dhe drejtues nga arti dhe shkenca.
Në ceremonitë e kaluara kanë marrë pjesë njerëz të famshëm si ish-shkencëtari Stephen Hawking dhe ish-presidenti Bill Clinton.
Çmimi "Global i Mësuesit" drejtohet nga Fondacioni Varkey, një organizatë bamirëse e cila synon të përmirësojë mundësitë arsimore të fëmijëve të paprivilegjuar në mbarë botën.
Këtë vit fituesja u shpall nga aktorja franceze Isabelle Huppert:
“Fituesja e çmimit Mësuesi Global 2021 është Keishia Thorpe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha ajo.
Sipas jurisë, Keishia Thorpe ka transformuar jetën e shumë nxënësve në Merilend, një shtet i larmishëm racor, me shumë familje që luftojnë për të përballuar jetesën.
Ajo gjithashtu ka grumbulluar fonde për studentët në mbarë botën me organizatat bamirëse “US Elite” dhe “Annual Scholarship” and “Athletic Convention”, ku trajnerët e kolegjit informojnë studentët-atletë ekonomikisht të pafavorizuara për pranimet në kolegj.
Thorpe thotë se është shumë e lumtur për fitimin e çmimit:
“Në fakt lajmi ishte shumë emocionues për mua, por ishte padyshim një moment krenarie që pata mundësinë ta ndaj edhe me familjen time”, thotë ajo.
Mësuesja Thorpe shpjegon se si shkollat në shtetin e Merilendit po përpiqen t'i ndihmojnë nxënësit jashtë klasave, në mënyrë që ata të mund të studiojnë të papenguar nga disavantazhi ekonomik.
"Ne e kuptojmë se pasiguria ushqimore është një nga gjërat më të mëdha me të cilat përballen nxënësit. Ne e dimë se shumë nga nxënësit tanë u ndikuan gjatë pandemisë. Ata lëvizën nga vende të ndryshme, sepse një shtëpi e qëndrueshme dhe e sigurt ishte një sfidë. Ne gjithashtu bashkëpunojmë me Universitetin e Merilendit për t'u ofruar disa prej nxënësve tanë emigrantë mundësi të ndryshme ligjore, kështu që shumë familje janë në gjendje të përdorin qendrat e tyre ligjore ose shërbime të ndryshme ligjore kur bëhet fjalë për emigracionin", thotë mësuesja Thorpe
Këtë vit u dha për herë të parë Çmimi "Global Studentor" i sponsorizuar nga një kompani amerikane e teknologjisë arsimore.
Çmimi u shpall nga aktori Hugh Jackman, i cili në vitet e kaluara ka ndarë çmimin e mësuesit.
Duke shpallur fituesin e çmimit prej 100,000 dollarësh, ai bëri thirrje gjithashtu për njohjen globale të sfidave me të cilat përballen tani nxënësit kudo
"Nxënësit kudo janë duke luftuar për të ardhmen e tyre. Ata janë pjesë e një brezi që janë në vijën e parë të sfidave më të mëdha të kohës sonë, që nga ndryshimet klimatike e deri te pabarazia globale. Ne duhet të dëgjojmë zërat e tyre dhe të hedhim dritë mbi historitë e tyre", tha aktori Hugh Jackman,
Fituesi i çmimit global të studentëve ishte Jeremiah Thoronka nga Sierra Leone. Jeremiah po lufton varfërinë për të patur energji elektrike.
Kur studionte në Universitetin e Lidershipit Afrikan në Ruandë, ai nisi një kompani të quajtur “Optim Energy” e cila transformon dridhjet nga automjetet dhe këmbësorët në rrugë në rrymë elektrike.
"Është një mrekulli, fjalët nuk mund të shprehin se si ndihem”, tha Jeremiah duke pranuar çmimin.
Deri më tani ai ka drejtuar një program pilot të suksesshëm në tre lagje të Sierra Leones.
Anëtarët e juries thanë se kompania e tij ka ofruar energji elektrike falas për 150 familje, si dhe 15 shkolla ku studiojnë më shumë se nëntë mijë studentë.