SHBA, rritje e rasteve me COVID-19 

Në SHBA pas disa javë me shifra të ulta për rastet me koronavirus, tani situata po ndryshon. 21 shtete amerikanë kanë raportuar rritje të infeksioneve dhe 17 shtete të tjera po ashtu kanë raportuar për shifra të larta të shtrimeve në spitale.

“Ne e dimë se niveli i mbrojtjes nga vaksina ulet pas një farë kohe”, thotë Dr Sara Cody, zyrtare shëndetësore në qytetin Santa Clara.

Moti i ftohtë po detyron shumë njerëz të mblidhen në ambiente të brendshme, e sipas ekspertëve të shëndetësisë ky është një nga faktorët për rritjen e rasteve, pasi një numër i konsiderueshëm i amerikaëve nuk është vaksinuar ende.

“Ne kemi parashikuar se do të ketë një valë tjetër të koronavirusit gjatë dimrit. Dhe mendoj se tani po shohim fillimet e kësaj vale”, thotë Dr Peter Hotez, professor i virologjisë molekulare dhe pediatrisë në kolegjin “Baylor”.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një rregull për vaksinimin kundër COVID-19 për kompanitë amerikane me 100 ose më shumë punonjës, duke kërkuar që punonjësit e tyre të vaksinohen plotësisht deri më 4 janar ose të testohen të paktën një herë në javë.

Disa punonjës janë kundër. Ndërkohë një gjykatë federale e apelit në SHBA bllokoi përkohësisht këtë rregull duke përmendur probleme “të mëdha statutore dhe kushtetuese”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Pestë në Nju Orlins erdhi pasi shumë shtete të udhëhequra nga republikanët ngritën padi ligjore kundër rregullit të ri.

Po ashtu rreth 2 milionë punonjës federalë do të duhet të vaksinohen deri më 22 nëntor bazuar në urdhrin ekzekutiv të presidentit.