Detaje të reja kanë dalë në lidhje me incidentin që ndodhi në një koncert në Hjuston të Teksasit, ku humbën jetën 8 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sipas dëshmitarëve turma u përfshi nga paniku pasi pjesmarrësit nisën të shtyjnë në drejtim të skenës, ku po këndonte këngëtari i muzikës rep Travis Scott.
Your browser doesn’t support HTML5
“Kjo ishte një nga situatat më të frikshme që kam kaluar ndonjëherë. Gardhi metalik ishte rrëzuar, policia ishte kudo, ishte një kaos i madh”, thotë Jonathon Espinoza, pjesëmarrës në koncert.
Disa të rinj të tjerë që u plagosën gjatë incidentit thanë se në koncert mungonin masat e sigurisë. Edhe Jonathon Espinoza e mbështet këtë qëndrim.
“Më shumë se 200 njerëz po më vinin nga pas, po më shtypnin. Në atë moment i kërkoj ndihmë rojës, por ai nuk bëri asgjë”, thotë ai.
Një rojë sigurie i punësuar për aktivitetin i tha faqes në internet “TMZ “se nuk ishte paraqitur në punë, pasi nuk ndihej i sigurt. Ai tha dhe ekipi i sigurisë kishte mungesë stafi.
Pjesëmarrës të tjerë kanë raportuar gjithashtu për mungesë të kontrollit si dhe përdorim të drogës.
Sipas gazetës “The Wall Sreet Journal” autoritetet po hetojnë rreth ndikimit të mundshëm të drogës që mund të kenë marrë disa nga spektatorët në koncert, në kaosin e krijuar.
Deri tani janë ngritur 18 padi. Organizatori i aktivitetit dhe reperi Travis Scott janë mes të paditurve.
Rreth këngëtarit janë ngritur shumë pikëpyetje mes tyre se pse ai vazhdoi të këndonte edhe pasi ishte njoftuar incidenti.
Rreth 50 mijë vetë ishin të pranishëm në koncertin që u zhvillua më 5 nëntor në Hjuston, ditën e incidentit.