Media shtetërore: një pjesëmarrës në sulmin ndaj Kapitolit kërkon azil në Bjellorusi 

Një amerikan i cili përballet me akuza kriminale për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm ndah Kapitolit më 6 janar, ka kërkuar azil në Bjellorusi, njoftoi të hënën televizioni shtetëror i vendit, një zhvillim që mund të rrisë më tej tensionet mes ish-vendit sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara.

48 vjeçari nga Kalifornia, Evan Neumann, pranoi në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror Bjellorusia 1 se ai kishte qenë në Kapitol më 6 janar, por hodhi poshtë akuzat, të cilat përfshijnë sulme ndaj policisë, pengim të punës së zyrtarëve të rendit dhe vepra të tjera. Kanali transmetoi pjesë të intervistës së tij të dielën dhe njoftoi se do ta publikojë atë të plotë të mërkurën.

"Nuk mendoj se kam kryer ndonjë krim", thotë zoti Neumann në intervistën me kanalin Bjellorusia 1. “Një nga akuzat ishte shumë e rëndë dhe pretendon se unë kam goditur një oficer policie. Nuk ka asnjë bazë për këtë”, tha zoti Neumann i cili fliste anglisht, por që zëri i tij mezi dëgjohej për shkak të dublimit të intervistës në rusisht.

Dokumentet e gjykatës amerikane thonë se zoti Neumann qëndronte në frontin e një barrikade policie i veshur me një kapelë të kuqe me mbishkrimin "Make America Great Again" (slogani “Ta bëjmë Amerikën të Madhe Përsëri”), ndërsa një turmë protestuesish pro-Trump po përpiqeshin të tejkalonin kordonin e policisë. Prokurorët thonë se Neumann u tall dhe u bërtiti policëve përpara se të vendoste një maskë gazi në fytyrë dhe kërcënoi një oficer policie, duke thënë se policia do të "shtypej" nga turma.

"Unë jam i gatshëm të vdes, po ju?" prokurorët cituan zotin Neumann t’i ketë thënë policit.

Pamjet e filmuara nga kamerat e vendosura në uniformat e policisë tregojnë zotin Neumann dhe të tjerët duke shtyrë një barrikadë metalike mbrapa së cilës ndodheshin policët që po përpiqeshin të ndalonin turmën, përpara se ai të grushtonte dy oficerë dhe t’i godiste ata me barrikadë, thuhet në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

Zoti Neumann i tha kanalit Bjellorusia 1 se fotografia e tij ishte shtuar në listën e personave më të kërkuar të FBI-së, dhe më pas ai ishte larguar nga vendi me pretendimin se po bënte një udhëtim pune. Zoti Neuman, i cili është pronar i një biznesi të prodhimit të çantave, udhëtoi për në Itali në mars, dhe më pas përmes Zvicrës, Gjermanisë dhe Polonisë shkoi në Ukrainë, ku qëndroi për disa muaj.

Ai tha se vendosi të kalonte ilegalisht në Bjellorusinë fqinje pasi vuri re se po përgjohej nga forcat ukrainase të sigurisë. “Është e tmerrshme. Është persekutim politik”, tha zoti Neumann për kanalin televiziv bjellorus.

Rojet kufitare bjelloruse e ndaluan amerikanin kur ai u përpoq të kalonte në vend në mes të gushtit dhe ai më pas kërkoi azil në Bjellorusi. Bjellorusia nuk ka një traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara.

Ambasada amerikane në Bjellorusi nuk pranoi të bënte komente për këtë çështje. Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se nuk komenton për "kërkesat drejtuar qeverive të huaja për ndalimin e qytetarëve amerikanë".

Bjellorusia u trondit nga protestat e mëdha disa mujore pasi zyrtarët zgjedhorë i dhanë presidentit autoritar Alexander Lukashenko një mandat të gjashtë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, të cilat opozita dhe Perëndimi i kanë denoncuar si të manipuluara.

Qeveria e zotit Lukashenko filloi një shtypje të dhunshme të protestave, duke arrestuar më shumë se 35,000 njerëz dhe duke rrahur keq mijëra prej tyre. Goditja shkaktoi reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.