Zyrtarë të Bashkimit Evropian u bënë thirrje përfaqësuesve politik të Kosovës që të krijojnë një konsensus, i cili që do të mundësonte çuarjen përpara të reformave që lidhen me integrimet evropiane.
Your browser doesn’t support HTML5
Këto thirrje ishin pjesë e një takimi dy ditorë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës në kuadër të procesit të Stabilizim Asocimit, gjatë të cilit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, bisedimet Kosovë-Serbi, bashkëpunimin rajonal, energjinë dhe sundimin e ligjit.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se reformat e kërkuara duhet të mbështeten me një konsensus të gjerë në parlamentin e vendit.
“Në këtë kontekst, qeveria duhet të angazhohet me të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe opozitën, në mënyrë që të ndërtohet konsensus politik për vendimet lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe fazën e dytë të agjendës së reformave të Bashkimit Evropian”, tha ai duke nënvizuar se një konsensus i tillë kërkohet edhe për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që janë kusht për integrimet evropiane.
“Vendosmëria dhe konsensusi i gjerë politik gjithashtu kërkohen për të bërë përparim në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian me Beogradin. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë e angazhimit në mënyrë konstruktive për t'u përmbajtur nga retorika dhe shmangia e veprimeve të njëanshme, duke bërë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe për të kontribuar në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje ndërkaq Bashkimit Evropian që të përmbushë zotimet për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Është tejet e rëndësishme që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet përmes jush në Parlamentin Evropian por edhe në Këshillin e Bashkimit Evropian aty ku janë përfaqësues qeveritë tuaja. Bllokimi i vendimit për hapjen e negociatave ndërinstitucionale për arritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Këshilli është veprim i padrejtë dhe dritëshkurtër”, tha kryeministri Kurti.
Eurodeputeti, Romeo Franz që udhëhoqi takimin për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit tha se liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një nga çështjet me përparësi të punës së tij.
“Ndoshta tani kemi mundësinë ta bëjmë, por kërkohet punë, ne do të negociojmë me Këshillin dhe ndoshta mund t'i bindim. Një nga punët më të rëndësishme është që t’i bindim shtetet që të heqin veton e tyre dhe jemi shumë të interesuar që Kosova të marr liberalizimin e vizave”, tha ai.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon që mbetet pa liberalizim të vizave dhe e fundit drejt integrimeve evropiane. Një nga kushtet kryesore drejt kësaj rruge mbetet arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë, ndërsa Kosova përballet edhe me mosnjohjen nga pesë vende të bllokut.