Debatet mbi ligjin e Teksasit që parashikon kufizime ndaj abortit, mbërritën këtë javë në kryeqytetin e vendit. Gjykata e Lartë po shqyrton nëse kufizimet e vendosura ndaj grave lidhur me ndërprerjen e shtatzënisë, janë të ligjshme. Ndërkohë të enjten në Kongres ligjvënësit dëgjuan mendimet e ekspertëve, të cilët po i kërkojnë gjykatës ta hedh poshtë ligjin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson sjell më shumë detaje.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjykata më e lartë e vendit po trajton një nga çështjet më të debatueshme këtë javë. Gjykatësit dëgjuan argumentet në të parën nga dy paditë që sfidojnë ligjin e Teksasit, i cili kufizon abortin menjëherë sapo të zbulohet rrahjet e zemrës së fetusit, rreth javës së gjashtë të shtatzënisë.
“Megjithëse ligji është qartësisht antikushtetues, struktura e tij unike, e cila mbështetet në një sistem që nxit zbatimin e tij nga qytetarët privatë apo në një sistem shpërblimi, e ka bërë të pamundur shqyrtimin e ligjit në themel”, thotë ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.
Ky element unik i ligjit të Teksasit, pra që në thelb i mundëson çdo qytetari një shpërblim financiar nëse jep informacion rreth mjekëve që kryejnë aborte, ka nxitur kritika në nivel kombëtar nga mbështetësit e së drejtës për abort. Ata thonë se ligji shkel vendimin e vitit 1973, të marrë nga Gjykata e Lartë, të ashtuajturin “Roe kundër Wade”, i cili e ka bërë abortin një të drejtë kushtetuese.
“Ligji i Teksasit që ndalon abortin pas javës së gjashtë të shtatzënisë, shkel parimin qendror të ‘Roe kundër Wade’. Ligji parashikon një ndalim pothuajse total të abortit, duke e ndaluar atë shumë më përpara se gratë të marrin vesh se janë shtatzënë. Rrjedhimisht është antikushtetues”, thotë Khiara Bridges, Profesoreshë në Universitetit të Kalifornisë.
Ligji, i cili ka qenë në fuqi për më shumë se dy muaj, u shqyrtua në një seancë të përshpejtuar në Gjykatën e Lartë. Analistët ligjorë konservatorë thonë se vendimi i gjykatës nuk do ta trajtojë çështjen me themel.
“Ata nuk do të arrijnë tek pyetja nëse aborti është apo jo kushtetues, por nëse duhet të ketë një zbatim nga struktura civile, të një të drejte kushtetuese. Me fjalë të tjera, të sigurohet që shteti i Misisipit apo Teksasit i kanë shkruar këto ligje në mënyrën e duhur”, thotë Sarah Parshall Perry, bashkëpunëtore ligjore e “Heritage Foundation”.
Kundërshtarët e së drejtës për abort thonë se ligji është një hap i rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtës për jetën.
"Nuk ka asgjë më të huaj që po kërkohet t'u vishet parimeve kushtetuese mbi të cilën fuksionon Amerika, sesa tolerimi i abortit dhe detyrimi i tij në një kohë kur gratë meritojnë zgjedhje më të mira", thotë Catherine Glenn Foster e “Americans United for Life”, “Amerikanët e bashkuar për jetën”.
Por aktivistët që mbrojnë të drejtën për abort thonë se ligji ka një ndikim jo të barabartë dhe prek më shumë njerëzit me ngjyrë dhe amerikanët me paga të ulëta, si dhe i detyron gratë të shkojnë në shtete të tjera ku ka më pak kufizime lidhur me abortin.
"Aborti është bekim është një akt dashurie. Aborti është liri. Dua ta përfundoj duke iu lutur këtij komisioni të ndihmojë komunitetet tona, e ta bëjnë këtë gjë tani. Ne kemi nevojë për mbrojtje federale mbi këtë çështje", thotë Dr. Ghazaleh Moayedi, përfaqësuese e organizatës “Fondi i qasjes së Barabartë”, Teksas.
Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve e mbështesin vendimin “Roe kundër Wade”, i cili garanton të drejtën kushtetuese për të kryer abort. Javën që vjen Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet që lidhen me një padi të dytë ndaj ligjit të Teksasit.