Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur si antikushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se vendimin e mori pasi dëgjoi palët në gjykim, dhe pasi shqyrtoi Opinionin e Komisionit të Venecias.
Vendimi dhe argumentat e plota për marrjen e tij pritet të dalin më vonë.
Në opinionin e tij Komisioni i Venecias, kishte thënë se Gjykata nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore.
Opinionet e Venecias nuk janë detyruese për Gjykatën Kushtetuese, por historikisht ato janë respektuar.
Zgjedhjet e 30 Qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar, pavarësisht se presidenti Ilir Meta e anulloi atë, duke vendosur një datë tjetër.
Në dy Opinione të vetat për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka vënë në dukje se “bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta”.