Udhëheqësit botërorë janë takuar në përpjekje për të frenuar ngrohjen globale për 29 vjet, por gjatë këtyre viteve Toka është bërë shumë më e nxehtë dhe më vdekjeprurëse. Pavarësisht takimeve të shumta dhe përpjekjeve të tyre, sasia e dioksidit të karbonit dhe gazeve serrë në atmosferë është rritur me shpejtësi që nga viti 1992.
Triliona tonelata akull janë zhdukur, djegia e karburantit fosil ka lëshuar në atmosferë miliarda tonë gaze, që rrethojnë planetin Tokë duke e futur atë si në një serrë dhe qindra mijëra njerëz kanë vdekur nga pasojat e ndryshimit të klimës.
"Shumë ka ndodhur që nga takimi për klimën i vitit 1992.Për mua, 1990 ishte një vit kyç. Tashmë po shohim më shumë fatkeqësi në mbarë botën si dhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nga takimi i vitit 1992 në Rio de Zhaneiro, përqëndrimi i gazeve serrë dhe sasia e dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës kanë vazhduar të rriten”, thotë Rob Jackson, i cili drejton Projektin Global të Karbonit.
Takimi i vitit 1992 krijoi procesin e negociatave ndërkombëtare për klimën që kulmoi me marrëveshjen e Parisit të vitit 2015. Kjo përpjekje po vazhdon tani në takimin e radhës për klimën, që po zhvillohet në Skoci, ku udhëheqësit botërorë do të përpiqen të rrisin përpjekjet për të ulur ndotjen nga çlirimi i dioksidit të karbonit.
"Dioksidi i karbonit ka një jetëgjatësi prej disa qindra vjetësh në atmosferë. Gazi i metanit ka një jetëgjatësi prej ndoshta një dekade në atmosferë dhe për këtë arsye Raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike u bën thirrje vendeve të botës të mendojnë për reduktimin e metanit për periudhën afatshkurtër”, thotë Kim Cobb, profesore në Universitetin Georgia Tech.
Shkencëtarët thonë se aktiviteti njerëzor dhe rritja e përdorimit të lëndëve djegëse fosile po rrisin sasinë e gazeve serrë.
"Shumica dërrmuese e emetimit të dioksidit të karbonit sot vjen nga përdorimi i karburanteve fosile. Ne djegim karburant për makinat, djegim qymyr dhe gaz natyror për të prodhuar energji elektrike. Ne prodhojmë lëndë petrokimike, mallra dhe bëjmë aktivitet bujqësor që gjithashtu çlirojnë dioksid karboni”, thotë Rob Jackson.
Shkencëtarët thonë se kjo po ndodh për shkak të gazeve që bllokojnë nxehtësinë në atmosferën rreth tokës. Sipas Adiministratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të Shteteve të Bashkuara (NOAA), niveli i dioksidit të karbonit në atmosferë është rritur 17% nga shtatori i vitit 1992 deri në shtator të vitit 2021. Indeksi vjetor i gazeve serrë të monituaruara nga kjo agjenci, i cili analizon nivelin e gjashtë gazeve dhe i peshon ato bazuar në sasinë e nxehtësisë që ato bllokojnë në atmosferë, është rritur pothuajse 20% që nga viti 1992.
Sipas Projekti Global të Karbonit, i cili përbëhet nga një grup shkencëtarësh që gjurmojnë emetimet, nga viti 1993 deri në vitin 2019, bota ka emetuar 885.1 miliardë tonelata dioksid karboni nga djegia e karburanteve fosile dhe prodhimi i çimentos.
Shkencëtarët shpresojnë se konferenca e klimës në Glasgou do të rrisë përpjekjet për të ulur ndotjen nga karboni.
"Gjëja e parë që duhet të bëjmë është thjesht të përdorim më pak lëndë djegëse fosile. Ne duhet të promovojmë përdorimin më efikas të energjisë në mënyrë që të mund të prodhojmë më shumë mallra duke përdorur më pak energji dhe më pak emetime. Pastaj, mund të shqyrtojmë shumë lloje të përparuara të teknologjisë për kapjen dhe magazinimin e karbonit, si dhe tërheqjen e gazeve serrë nga atmosfera”, thotë Rob Jackson.
Disa gjithashtu po përpiqen të pakësojnë gjurmën e tyre të karbonit në një shkallë personale. Kim Cobb dhe familja e saj kanë punuar për zvogëlimin e gjurmës së tyre të karbonit që nga viti 2017.
Ajo ka reduktuar udhëtimet me aeroplan, përdor biçikletën e saj elektrike për të shkuar në punë dhe për nevoja të tjera.
Profesorja Cobb shpreson të japë kontributin e saj në uljen e emetimit të dioksidit të karbonit.
“Ne duhet të gjejmë mënyra dhe pajisje tjera në jetën tonë individuale, për familjet tona, qytetet dhe shtetet tona, por edhe në tryezën e negociatave ndërkombëtare. Lajmi i mirë është se ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë”, thotë profesorja Cobb.