Kryemadhi: E ashtuquajtura opozitë, tango teatrale me mazhorancën në kurriz të shqiptarëve

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi foli mbi zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri dhe qasjen e kësaj force politike pas dinamikave të reja që kanë përfshirë kryesisht opozitën shqiptare. Kjo shënon intervistën e parë të saj që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit në Shqipëri, ku LSI-ja u rrudh në 4 deputetë, nga 19 që kishte në legjislaturën pararendëse. Zonja Kryemadhi e shmangu përgjigjen rreth pyetjes se cilat janë marrëdhëniet e LSI-së me Partinë Demokratike. Ajo tha se ato janë pak të rëndësishme po të kihet parasysh ajo që po ndodh në Kuvend, "ku tangoja teatrale e së ashtuquajturës opozitë me mazhorancën", sikurse u shpreh ajo, "nuk po sjell asnjë tjetër veçse rritjes së borxhit të jashtëm të Shqipërisë dhe po çon drejt falimentimit të shtetit". Zonja Kryemadhi foli dhe rreth betejës politike brenda Partisë Demokratike, rezultatin e dobët të LSI-së në zgjedhje dhe përgjegjësitë e saj në këtë drejtim. Zonja Kryemadhi bisedoi me kolegen Menada Zaimi.

Your browser doesn’t support HTML5

Kryemadhi: E ashtuquajtura opozitë tango teatrale me mazhorancën në kurriz të shqiptarëve

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadh, në Shqipëri, sidomos në radhët e opozitës, po ndodhin zhvillime dinamike, Partia Demokratike duket se ndodhet në një udhëkryq. LSI-ja ka humbur forcën e mëparshme e të qënit përcaktuesi i fituesit të zgjedhjeve. Ku e sheh veten LSI-ja sot?

Monika Kryemadhi: Nuk do të doja ta filloja duke i kthyer përgjigje një pyetjeje të tillë, por doja ta shikoja në një këndvështrim tjetër. Sot një nga problematikat më të mëdhaja që e ka gjithë jeta politike shqiptare, duke filluar në të gjithë institucionet e saj, në demokracitë e brendshme brenda partive, me demokracitë e brendshme në parlament, zbatimin e rregullores së saj në funksionimin dhe transparencën që ushtron qeveria përballë parlamentit, më tej përballë qytetarëve të saj është në një udhëkryq të jashtëzakonshëm për të mos thënë tashmë se çdo institucion ku politika përballet me qytetarët e saj është inegzistent dhe kjo vjen si një rezultat i tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit, dhe ku për hir të së vërtetës, ajo që thoni ju, ku roli i LSI-së, nga një mekanizëm kontrollues që mbante një lloj balance për sa i përket jetës politike midis dy ekstremeve të mëdhaja, që kalonin në ekstreme të jetës politike shqiptare apo të asaj që i ofrohej shoqërisë shqiptare, tashmë ky mekanizëm që ruante balancën qoftë për reformën në drejtësi, nëse kujtojmë vitin 2016 që ishte LSI-ja ajo që luajti rolin e mekanizmit të balancës për votimin me 140 vota, apo dhe zhvillimin më tej të tetë ligjeve të saj. Por të mos harrojmë edhe më tutje, që sot ne jemi në një aspekt komplet tjetër kur flasim me një lloj tallje me qytetarët shqiptare, pasi kemi një kryeministër që ka tetë vjet në pushtet dhe flet për mungesën e ujit të pijshëm dhe borxhi shqiptar vetëm për ujin e pijshëm është rritur 1.2 miliardë.

Zëri i Amerikës: Ku e sheh LSI-ja në gjithë këtë panorama veten?

Monika Kryemadhi: LSI-ja e sheh veten në misionin e saj për të vazhduar opozitën, në identitetin e saj ose kauzat e opozitës deri në zgjedhjet e vitit 2021, atë çka ne prisnim dhe të gjithë qytetarët, ndryshimin e munguar. Pavarësisht se politika tradhëtoi në një fare mënyrë kauzat e qytetarëve. Ajo çka dua të them është se LSI-ja vazhdon të qëndrojë. Jo më larg se javën e kaluar, unë dorëzova në prokurori padinë e tretë për inceneratorin e Fierit, ku bëhen mbi 400 milionë euro që u merren taksapaguesve shqiptare dhe nuk përfitohet absolutisht asgjë. Është thjesht një skemë korruptime. Ashtu sikurse kemi denoncime të tjera dhe problemi nuk qëndron vetëm tek denoncimet, por problemi qëndron edhe tek ushtrimi i politikës ndaj institucioneve drejt transparencës së tyre. Për ta mbyllur, sepse duke patur parasysh se për të folur sot për situatën në Shqipëri ka shumë gjëra, ajo që e fokuson LSI-në akoma më shumë është që ne rreth muajit dhjetor do të shkojmë drejt mbledhjes së Konvetës Kombëtare, duke patur parasysh që duhet të ishte mbledhur vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë ne nuk e realizuam dot, në mënyrë që të ketë zgjedhjen e strukturave të reja të saj dhe për të ecur përpara drejt një strategjie të re.


Zëri i Amerikës: Gjatë një fjalimi të enjten në kuvend, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, cilësoi Ramën, Berishës dhe Metën si trekëndëshi i së keqes për Shqipëri, ose siç u shpreh ai, "trekëndëshi i Bermundës", duke i bërë ata fajtorë për problemet që po kalon vendi. Si i komentoni ju deklaratat e tij?

Monika Kryemadhi: Për mua asgjë e re nga fronti i Lindjes.


Zëri i Amerikës: Brenda partisë më të madhe të opozitës, po zhvillohet sot një beteje e paprecedentë. Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar se është gati të verë kandidaturën për kryetar partie. Si e shikoni ju ketë synim të zotit Berisha dhe luftën mes tij dhe kryetarit aktual Basha?

Monika Kryemadhi: Nuk dua të komentoj absolutisht asgjë që ka të bëjë me punët e brendshme të Partisë Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti e qendrës së majtë, e cila ka identitetin e saj dhe sigurisht që ne me Partinë Demokratike na ka lidhur bashkëpunimi në kauza që kanë të bëjnë për të mirën e qytetarëve, siç ka qenë çështja e Teatrit Kombëtar, apo taksa e rrugës së Kukësit, dhe çështje të tjera, pavarësisht se sa të suksesshme ishin iniciativat e opozitës në atë kohë. Por nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim, angazhimi ynë ka qenë gjithmonë luajal dhe i qëndrueshëm deri në fund, duke patur parasysh që ka qenë nga të vetmet partnere, e cila i qëndroi deri në fund frontit opozitar, deri më 25 prill, datën e zgjedhjeve të famshme.


Zëri i Amerikës: Cilat janë marrëdhëniet sot të LSI-së me Partinë Demokratike?

Monika Kryemadhi: Ajo që dua të theksoj është që nuk kanë absolutisht fare rëndësi marrëdhëniet e LSI-së me Partinë Demokratike sot, duke patur parasysh që mjafton të shikosh çfarë po ndodh në Parlamentin e sotëm, ku tangoja teatrale e të ashtuquajturës opozitë me mazhorancën, nuk po sjell asnjë tjetër veçse po rrit borxhin e jashtëm të Shqipërisë dhe po e kalon në shifra ekstreme dhe drejt një falimentimi të shtetit, për të vazhduar më tutje me marrëveshje të cilave u mungon transparenca politike dhe parlamentare, gjë që s’ka të bëjë vetëm me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, por me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të vajtur me tej, që sot jeta e shoqërisë shqiptare e aq më shumë politika shqiptare, nuk artikulon absolutisht për gjëra që kanë lidhje shumë të rëndësishme me ekzistencën e popullit shqiptar, dhe aq më shumë të të rinjve shqiptarë, duke patur parasysh që vetëm në periudhat e fundit shpopullimi i familjeve të reja shqiptare është i jashtëzakonshëm, gjë që është e dhimbshme sepse nëse kombit do t’i largohet gjithë rinia, ai është i destinuar të vdes.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi pas zgjedhjeve, në përjashtim të një deklarate, ju nuk keni folur, keni qëndruar në heshtje. Si e shpjegoni ju rezultatin e dobët të Lëvizjes Socialist për Integrim, rrudhjen e fortë të saj, duke patur parasysh që u reduktua nga 19 deputetë në vetëm 4?

Monika Kryemadhi: Duhet të kemi vetëm një gjë parasysh, që nuk ka rrudhje të rezultatit, sepse janë 110 mijë vota, ka një tjetërsim tërësor të sistemit zgjedhor. Unë dua të them që ka një fyerje që i është bërë nga Kryeministri dhe Partia Socialiste, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, sepse e gjithë opozita, këshilli politik në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, delegacionin e Bashkimit Evropian, dhe Ambasadën Britanike, nënshkruan një marrëveshje për të shkuar drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm më 5 qershor. Edhe pse kjo u nënshkrua në Ambasadën Amerikane, klasa politike u sulmua për shkak të mungesës së asaj pavarësie politike. Pas tre javesh, kjo deklaratë, edhe pse u përshëndet në atë kohë nga Sekretari i Shtetit, Komisioneri i Jashtëm i Bashkimit Evropian dhe ai për zgjerimin e BE-së, në mënyrë të njëanshme Partia Socialiste ndryshoi plotësisht kushtetutën, gjë që solli një cënim të të gjithë procesit zgjedhor dhe një tjetërsim të rezultatit. Mos harrojmë, pastaj po të futemi në procesin zgjedhor të 25 Prillit me tjetërsimin e votave, zvarritjen e procesit të ashtuquajtur të listave të zgjatura me 250 kandidatë, dhe asnjëri nuk flet që fleta e votimit për qytetarët shqiptarë ka dalë vetëm 15 ditë para procesit të votimit. Qytetarët ishin totalisht të painformuar. Dhe (Shqipëria) është i vetmi vend që ka 5 për qind të votave të pavlefshme, që do të thotë që tjetërson këto vota. Po të rikthehen dhe të rishikohen këto (vota), do të shohësh që edhe rezultati do të jetë komplet ndryshe.


Zëri i Amerikës: Por rezultati është ai që është… cila është përgjegjësia juaj? A duhet të kishit dhënë dorëheqjen?

Monika Kryemadhi: Përgjegjësia ime është shumë e madhe për shkak të barazisë së votës, sepse vota e qytetarëve shqiptarë sot nuk është absolutisht e barabartë, sepse kemi deputet në Parlament që përfaqësohet me 27 vota dhe kemi deputet në Parlament që përfaqësohen me 700 vota, 800 vota apo edhe me 3 mijë vota. Ajo që dua të theksoj, është se përgjegjësia ime është shumë e madhe, pasi gjithë ai proces i djegies së mandateve dhe të bojkotimit të zgjedhjeve lokale, solli në kapjen e shtetit në mënyrë flagrante dhe në tjetërsimin e gjithë strukturave të politikës, të drejtësisë, të ekonomisë, të sigurisë edhe të diplomacisë, që të jenë në një dorë të vetme, të cilat nuk dihen se nga kush kontrollohen. Dhe për të shkuar më tutje, ai proces ka qenë një nga proceset më fatkeqe të demokracisë shqiptare dhe për të cilën klasa politike dhe shoqëria shqiptare, do ta vuajnë jashtëzakonisht shumë. Sepse djegia e madateve ishte një lojë shumë e rrezikshme që cënoi jo vetëm demokracinë, por mbi të gjitha solli shpërnguljen në masë të të rinjve dhe të rejave. Përgjegjësia e imja dhe e të gjithë kolegëve tanë sigurisht që do të vijë në të ardhmen, sepse ajo që është më e rëndësishme është se ne duhet të kuptojmë dhe duhet të punojmë të gjithë për vendin tonë, për njerëzit tanë pastaj të fillojmë të ushqejmë të tjerët politikisht. Ajo çka dua të them është që sot pika më kulmore dhe më e rëndësishme për ne është që t’iu japim shpresë të rinjve dhe të rejave shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Presidenti Ilir Meta e ka bërë të qartë që me përfundimin e mandatit të tij do rikthehet në LSI, cili do të jetë roli i tij?

Monika Kryemadhi: Unë me thënë të drejtën nuk mund të them asgjë për sa i përket kësaj gjëje, sepse nuk është se e kam diskutuar… Po ajo që mendoj, di të them se LSI-ja mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë, jo vetëm brenda partisë politike në të cilën aderon, por për të rikthyer demokracinë në gjithë shoqërinë shqiptare, e cila jo vetëm ka qenë e brishtë në këto vite tranzicioni, por është cënuar dhe është thyer jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit.