Në Tiranë, sipas një monitorimi të Qendrës studimore "Fol", vitin e fundit në sistemin e drejtësisë u regjistruan një numër i konsiderueshëm denoncimesh për krimet e narkotikëve dhe të korrupsionit.
Your browser doesn’t support HTML5
Kjo tregon, sipas ekspertëve, guximin dhe pritshmërinë e lartë të qytetarëve ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.
Megjithatë, sipas tyre, në punën e sistemit gjyqësor vazhdon të ndikojë kultura e mosndëshkimit të korrupsionit, mos-gjetja e provave të plota për të mbështetur akuzat si dhe perfeksionimi i akteve korruptive.
Qendra Studimore Fol publikoi sot rezultatet e monitorimit njëvjeçar të denoncimeve në Prokurorinë e Tiranës dhe në SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) si dhe shqyrtimin e tyre nga sistemi gjyqësor.
Bëhet fjalë për ecurinë e gjykimit të mbi 1 mijë e 900 çështjeve penale për 41 lloje të ndryshme krimesh.
Mbi 60 për qind e tyre i përkasin kriminalitetit në fushën e drogave, kultivim, prodhim, shitje dhe përdorim të narkotikëve.
Drejtuesja Ekzekutive e Qendrës Fol, Anila Hoxhaj, thotë se po shënohen një numër gjithnjë në rritje i denoncimeve për krimet e drogave, por laboratorët shkencorë janë të mbingarkuar nga kërkesat e prokurorisë për analiza narkotikësh, gjë që ka ndikuar tek vonesat dhe mosfillimin e hetimeve.
“Nga monitorimi i kryer në kryeqytet vërehet dukuria e kultivimit të drogës, por kryesisht ajo që shihet si risi është fakti i implikimit nga policia i kryepleqve, duke akuzuar disa prej tyre për moskallëzim krimi dhe bashkëpunim me narkotrafikantët. Por nga ana tjetër vihet re një numër i lartë i mos-fillimeve të procedimeve penale për sa i takon çështjeve të drogës për shkak edhe të vonesave të laboratorëve. Nga monitorimi i Qendrës Fol doli se laboratorët e policisë shkencore kanë qenë të mbingarkuar nga kërkesat e prokurorisë së Tranës për të bërë ekspertiza” - thotë zonja Hoxhaj.
Pjesa më e madhe e të miturve nuk marrin dënime për shkak të moshës së vogël dhe masave të vogla të narkotikëve që mbajnë me vete, ndërsa denoncimet e shtuara për përdorim droge nga të miturit shumica po hetohen në gjendje të lirë.
Nga ana tjetër, janë regjistruar 578 denoncime ndaj krimit të korrupsionit, shkelje të barazisë në tendera, ku institucionet më shumë të paditura janë Agjencia e Kadastrës, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, OSHEE, pushteti vendor, mjekësia dhe prokurimet.
Sipas autorëve të studimit, numri i denoncimeve për krim dhe korrupsion tregon guximin në rritje të qytetarëve dhe pritshmërinë e tyre të lartë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.
Por ky ritëm denoncimesh mund të ulet përsëri nëse opinioni qytetar vëren se zyrtarët e denoncuar nuk dënohen për shkeljet, që nisin nga shpërdorimi i detyrës e deri te abuzimet e rënda me fondet publike.
“Është për t’u shqetësuar fakti se në të gjitha veprat penale të korrupsionit, të denoncuara nga qytetarët edhe nga institucionet, vendim-marrjet e mos-fillimit të proceseve nuk janë atakuar në gjykatë. Qytetarët ndoshta janë në gjendje ekonomike të rënduar dhe nuk mund të marrin avokatë për të ndjekur procesin me ankesa. Por procesin ankimor nuk e ndjekin më pas as institucionet që kanë fonde dhe ekipe të gjera me juristë dhe ekspertë ligjorë” - thotë Ardita Kolmarku, eksperte ligjore për studimin e Qendrës Fol.
Grupi tjetër më shumë i denoncuar për korrupsion është vet sistemi i drejtësisë. Në rastet e denoncuara për korrupsion përmenden rryshfete nga 10 dollarë e deri te prokurimet publike në shumë të mëdha.
Sipas autorëve të studimit, faktorët me ndikim të madh në këtë gjendje janë niveli i lartë i pandëshkueshmërisë së korrupsionit, pafuqia e autoriteteve për të ngritur akuza me prova të plota si dhe perfeksionimi i korrupsionit nga zyrtarët qendrorë dhe vendorë.