Bisedë me një luftëtar taleban

Afghanistan Daily Life

Cili është mendimi i luftëtarëve të zakonshëm talebanë, atyre që luftuan në kryengritjen që zgjati për dy dekada, rreth qeverisjes së vendit? Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ayesha Tanzeem bisedoi me disa prej tyre në rrugët e Kabulit gjatë këtij muaji. Shumë militantë hezitojnë të përgjigjen për pyetjet lidhur me të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut, duke thënë se këto çështje rregullohen më së miri nga udhëheqësit fetarë. Disa të tjerë deklarojnë se janë njerëz të thjeshtë që vetëm zbatojnë urdhrat. Shumë të tjerë, që thonë se gratë nuk duhet të enden rrugëve të pashoqëruara nga një burrë, i afërm i tyre, gjithsesi pranuan të flasin me gazetaren e Zërit të Amerikës dhe përkthyesen e saj. Në vazhdim mund të lexoni tekstin e bisedës me militantin Qari Saeed Agha.

Your browser doesn’t support HTML5

Bisedë me një luftëtar taleban

Zëri i Amerikës: A ishit në Kabul para marrjes së pushtetit, apo u futët me trupat tjerë?

Qari Saeed Agha: Isha në Kabul para marrjes së kontrollit. Vinim rregullisht. Hyrja në qytet nuk ishte problem për ne.

Zëri i Amerikës: Para marrjes së kontrollit të Kabulit, luftëtarët talebanë ishin në qytet, të armatosur? Si nuk arriti t’i gjente askush nga autoritetet lokale?

Qari Saeed Agha: Oficerët talebanë të zbulimit ndodheshin në Kabul dhe vetëm udhëheqësit kishin informata për ta.

Zëri i Amerikës: Tani që jeni këtu, pjesë e qeverisë, si ndiheni? A mendoni se qeveria po bën punë të mirë, apo mund të bëj më shumë?

Qari Saeed Agha: ​ Krahasuar me qeverisjen e mëparshme, 80 për qind e problemeve janë zgjidhur. Edhe çështjet tjera do të rregullohen. Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Ne respektojmë njëri tjetrin. Prandaj patëm sukses.

Zëri i Amerikës: Njerëzit nuk kanë punë dhe ushqim. Po përballen me shumë vështirësi. A mendoni se qeveria po bën mjaftueshëm?

Qari Saeed Agha: ​Problemet ekonomike nuk zgjidhen brenda muajit. Qeveria po krijon një sistem, po emëron ministra dhe këshilltarë. Do të publikohen tarifat e produkteve dhe kushdo që nuk i respekton dhe shet më shtrenjtë do të përballet me ligjet islame.

Zëri i Amerikës: Si grua që jam, po qëndroj pranë jush ndërsa ju intervistoj. Si po ndiheni dhe a pajtoheni që gratë afgane ta bëjnë këtë që po bëj unë sot?

Qari Saeed Agha: Askush nuk ndihet rehat me një grua të huaj. Por, gratë do të gëzojnë të drejtat sipas islamit. Askush nuk mund t’ua mohojë ato.

Zëri i Amerikës: ​ Qari Saeed Agha faleminderit shumë. Ishte pra kjo pikëpamja e një luftëtari taleban.