Nga makinat, kompjuterat, pajisjet shtëpiake, veshmbathje dhe këpucët… Kriza globale e transportit detar pritet të sjellë çmime më të larta për shumë mallra konsumi.
Your browser doesn’t support HTML5
Paul Bender, i cili është themelues i kompanisë së lojrave “Greater Than Games” është në këtë biznes për më shumë se një dekadë. Biznesi i tij varet nga prodhimi në Kinë.
Viti 2020 ishte një vit i mirë për të, pasi shitjet në industrinë e lojërave u rritën shumë. Por viti 2021 sipas tij ka qenë i vështirë, pasi marrja e disa pjesëve nga Kina kërkon shumë kohë.
“Një vit më parë paguanim rreth 6 mijë dollarë dhe duheshin 4-6 javë transport për të sjellë një kontejner nga porti i Shangait ose porti i Shenzhenit deri këtu në Saint Louis, Missouri, ku jemi ne. Tani duhet të paguash deri në 25 mijë dollarë dhe duhen disa muaj për transportin”, thotë Paul Bender, themelues i kompanisë “Greater Than Games”.
Ai thotë se çmimet e larta të transportit po e detyrojnë atë të rrisë çmimet për produktet e tij. Shumë biznese të tjera janë në të njëjtën situatë. Ekspertët thonë se kostot më të larta të transportit janë për shkak të mungesës së kontejnerëve të ngarkesave në Kinë.
Disa nga kontejnerët që kanë arritur në SHBA nga Kina janë mbajtur në porte dhe kanë pritur për muaj që të shkarkohen.
“Ka një problem. Ne nuk kemi shoferë kamionësh. Pse ndodhi kjo? Sepse vitin e kaluar shumë biznese u mbyllën, kështu që ata nisën një punë tek kompania Amazon sepse kjo kompani kishte shumë shitje. Dhe tani ata nuk duan të kthehen në vendet e tyre të mëparshme të punës”, thotë Christopher Tang, ekspert.
Një arsye tjetër është mbyllja e fabrikave në Azi.
"Në Azi, ka mungesa në vaksina. Vaksinat nuk janë të disponueshme gjerësisht në Malajzi, në Vietnam, në Kinë. Po ashtu dhe varianti delta i koronavirusit që përhapet lehtësisht. Ku ka raste me COVID, punonjësit duhet të karantinohen, ndonjëherë fabrikat duhet të mbyllen”, thotë eksperti Christopher Tang.
Ndërsa prodhimi ra, shitjet në internet të veshjeve, kompjuterave dhe produkteve të tjera u rritën në mënyrë dramatike që nga fillimi i pandemisë.
Ekspertët thonë se mbështetja e tepërt në importet kineze është baza për këtë krizë globale në transportin detar.
Në mes të muajit tetor, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se në portet në Kaliforni do të punohet 24 orë në ditë, në përpjekje për të shkakruar 500 mijë kontejnerë. Por ekspertët thonë se plani nuk do të funksionojë.
“Edhe nëse mallrat lëvizin më shpejt nga anijet, por në magazine nuk punohet me të njëjtin orar, si do të përpunohet ai produkt?”, pyet Jason Miller, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.
Disa ekspertë të tjerë flasin për metoda alternative të transportit.
“Disa kompani flasin për transportin ajror. Të përdorësh një avion në vend të një anijeje mallrash, është një mënyrë e shpejtë, por është shumë, shumë e shtrenjtë. Dhe kjo gjithashtu do të ketë rritje të kostos. Pra, nuk është vërtet e realizueshm”, thotë Paul Bender, themelues i kompanisë “Greater Than Games”.
Me sezonin e festave vetëm pak javë larg, ekspertët thonë se konsumatorët do të përballen çmime më të larta dhe ata që bëjnë blerje online do të duhet të presin shumë kohë për të marrë produktin.