Koreja e Veriut ka lëshuar tetë raketa këtë vit, me e fundit gjatë kësaj jave, një raketë balistike e lëshuar nga një nëndetëse. Por koreanojugorët, të cilët rrezikohen më shumë nga një konflikt me Phenianin, nuk ndihen shumë të shqetësuar.
Your browser doesn’t support HTML5
Çdo raketë e lëshuar nga Koreja e Veriut përcillet me tensione.
Pamjet nga testimet shpesh ngjajnë me ato të Hollivudit, të filmuara nga kënde të ndryshme dhe madje edhe me dron.
Raportimet në shtypin ndërkombëtar përcjellin një ndjenjë krize, veçanërisht kur marrëdhëniet ShBA-Kore e Veriut janë në një pikë të ulët.
Ky stacion treni në Seul është vendi ku mblidhen shumë gazetarë të huaj pas testeve me raketa të Koresë së Veriut.
Aty ofrohen pamje që nënkuptojnë se koreano-jugorët po i ndjekin me kujdes zhvillimet. Por pasi flet me ta, mëson pikëpamje tjera.
“Mendimi im është: ja e bënë përsëri. Dua të them, po kam dëgjuar për ta. Por ne në Korenë e Jugut nuk shqetësohemi shumë”, thotë Yoo Ye-jin.
“Ata kryejnë shpesh teste. Jemi bërë imunë ndaj këtij lajmi. Nuk është ndonjë gjë e madhe për ne”, thotë një banor tjetër i Seulit.
Koreja e Veriut ka testuar rreth 150 raketa që nga viti 1984.
“Kjo është jeta jonë. Kjo është situata mes Koresë së Veriut dhe Jugut. Kemi tensione mes dy vendeve. Koreano-jugorët nuk mendojnë se Koreja e Veriut do të na sulmojë“, thotë profesori Choi Jin-bong.
Kanë kaluar disa dekada nga koha kur armiqësitë ishin të dukshme, sikurse gjatë sulmit të 10 viteve më parë, kur Koreja e Veriut bombardoi një ishull të Koresë së Jugut dhe fundosi një anije luftarake, duke vrarë 50 njerëz.
Sondazhet tregojnë se të rinjtë që nuk kanë përjetuar Luftën Koreave të viteve ‘50, nuk mërziten për Veriun. Njoftimet e frikshme nga Pheniani nuk janë aq bindëse këto ditë, thotë gazetarja Kim Hye-in.
“Brezi i ri nuk merret shumë me lajmet për Korenë e Veriut. Ata kanë parë testimet e raketave që në lindje. Gjithsesi, doli se shumë raporte ishin të pasakta”, thotë ajo.
Ata ndihen të sigurtë edhe për shkak të ushtrisë së Koresë së Jugut, e cila vazhdimisht furnizohet me armë dhe pajisje të reja, siç janë këta avionë luftarakë që u prezantuan në një ekspozitë sigurie këtë javë.
Presidenti Moon Jae-in, i cili mbërriti në këtë aktivitet me një nga avionët e rinj, tha se këto armë, të prodhura me teknologjinë e fundit, duhet ta bëjnë Korenë e Jugut të ndihet e sigurt, se mund të garantojë ruajtjen e paqes.