Kuvendi duhet të përfshihet në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës si dhe të finalizojë pa vonesë emërimet gjyqësore, tha shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Kristina Popa. Ajo foli gjatë një konference me rastin e prezantimit tëraportit vjetor të Komisionit Evropian mbi përparimin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit.
Zonja Popa tha se raporti vëren se mungesa e dialogut, tensionet e ndryshme dhe mosbesimi midis politikanëve kanë thelluar ndarjet politike, përfshirë edhe brenda shumicës qeverisëse.
“Mungesa e një qasjeje konstruktive mes ligjvënësve parandaloi një dialog politik kuptimplotë dhe rezultoi në polarizim të mëtejshëm të mjedisit politik”, tha zonja Popa.
Lexoni edhe këtë Raporti vjetor i Komisionit Europian mbi përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit
Sa i përket reformës në administratës publike, zonja Popa thotë se përparimi në përgjithësi ka qenë i kufizuar.
Ajo tha se ka ende shqetësime për ligjin për nëpunësit dhe punonjësit civilë si dhe lëvizjet e brendshme, që siçthekson ajo, rrezikojnë kapacitetin e Malit të Zi kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me procesin e pranimit në BE.
“Përparimi në rrugën drejt pranimit në BE kërkon një administratë publike plotësisht funksionale. Është e nevojshme, sa më shumë që të jetë e mundur, të ruhet ekspertiza teknike e fituar gjatë viteve të kaluara,” tha zonja Popa.
Lexoni edhe këtë Kosova pak përparim në raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor
Raporti vjetor i Komisionit Evropian, tha zonja Popa, vëren se nuk është bërë përparim në fushën e drejtësisë.
“Zbatimi i reformave kryesore në gjyqësor ka ngecur. Kjo përfshin efektshmërinë institucionale të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial. Mali i Zi duhet të trajtojë si prioritet të gjitha çështjet e mbetura të theksuara në opinionin e Komisionit të Venecias mbi Ligjin për Zyrën e Prokurorit të Shtetit. Zhbllokimi i situatës në gjyqësor është vendimtar për çdo përparim në përmbushjen e kritereve të përkohshme mbi sundimin e ligjit. Për më tepër, pavarësia dhe profesionalizmi i gjyqësorit duhet të forcohet më tej”, theksoi zonja Popa.
Ajo tha se ka pasur disa zhvillime pozitive në luftën kundër korrupsionit, por nënvizon se korrupsioni është ende i pranishëm në shumë fusha.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka treguar një qasje më aktive nën udhëheqjen e re. Pavarësisht prirjes pozitive, ende vazhdojnësfidat që lidhen me pavarësinë e agjencisë, përcaktimin e prioriteteve, qasjen dhe cilësinë e vendimeve”,tha shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian Oana Kristina Popa.