Në Hungari, kandidati konservator i pavarur Peter Marki-Zay fitoi të dielën një garë paraprake brenda opozitës, duke u bërë kandidati i përbashkët i një koalicioni opozitar prej gjashtë partish, që do të sfidojë kryeministrin Viktor Orban në zgjedhjet e përgjithshme pranverën e ardhshme. Pasi fitoi zgjedhjet, zoti Marki-Zay tha se Hungaria duhet të forcojë lidhjet me Bashkimin Evropian të dëmtuara nga zoti Orban.
Your browser doesn’t support HTML5
Peter Marki-Zay u bë fituesi i raundit të dytë të zgjedhjeve paraprake brenda opozitës, kur kundërshtarja e tij, socialdemokratja Klara Dobrev, pranoi humbjen të dielën në mbrëmje.
Në një takim me përkrahësit e tij të dielën në Budapest, kandidati i opozitës e quajti fitoren e tij "një revolucion të njerëzve të zakonshëm".
Zoti Marki-Zay ka mbështetjen e gjashtë partive kryesore opozitare të Hungarisë, të të gjithë spektrit politik, përfshirë të majtët, të moderuarit dhe të djathtët.
"Është një lajm shumë pozitiv për të gjithë hungarezët, sepse tregon se nuk mjaftojnë vetëm partitë politike dhe se të këta të rinj që u bashkuan me opozitën, që u aktivizuan, realisht mund ta ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Dhe ky është lajm i keq për partinë Fidesz", tha zoti Marki-Zay në një intervistë për agjencinë Associated Press.
Partitë e opozitë janë angazhuar të lënë mënjanë dallimet ideologjike dhe të mbështesin një kandidat të vetëm të përbashkët në përpjekjen për të rrëzuar nga pushteti zotin Orban, një populist i krahut të djathtë dhe partinë e tij Fidesz.
Ata thonë se vetëm një bashkëpunim i tillë mund të bëjë të mundur fitoren në një mjedis të pabalancuar mediatik dhe një sistem zgjedhor të krijuar nga Fidesz që i jep atij një avantazh të padrejtë.
Zoti Marki-Zay, kryebashkiak i një qyteti të vogël jugor, i panjohur më parë në politikën kombëtare, hyri në garë si i pavarur pa asnjë mbështetje politike apo financiare të partive opozitare.
Një i krishterë i vetëshpallur konservator, ai është baba i shtatë fëmijëve.
Ai u zotua të punojë me të gjithë anëtarët e koalicionit opozitar kundër "diktaturës së korruptuar" të Orbanit, siç thotë ai.
"Jemi shumë të lumtur dhe shpresojnë shumë se vitin e ardhshëm do të dëshmojmë se mund të ndërtojmë një koalicion që mund të ndryshojë historinë e Hungarisë", tha ai.
Dhe pikërisht këtë shpresojnë përkrahësit e opozitës, siç thotë një prej tyre, Malinda Nagy.
"Këto zgjedhje treguan se ne mund ta zëvendësojmë këtë qeveri të korruptuar. Ata kanë vjedhur para nga BE-ja për 11 vjet, kanë ndërtuar vetëm stadiume, asnjë investim në kujdesin shëndetësor dhe arsim, nuk ka liri të medias, nuk ka demokraci", thotë ajo.
Vetë zoti Marki-Zay premton lidhje më të ngushta me BE-në nëse fiton. Ai tha se lidhjet më të ngushta të zotit Orban me Presidentin rus Vladimir Putin, Kinën dhe Turqinë nuk ishin në përputhje me ato që ai i quajti vlera evropiane.
“Kjo duhet të ndryshojë. Jo vetëm sepse duam të jemi anëtarë besnikë të BE -së dhe NATO -s, por sepse shumica, 80% e hungarezëve do të votonin që të qëndrojmë në Bashkimin Evropian, dhe sepse për ne integrimi evropian, demokracia dhe ekonomia e tregut janë vlera shumë të rëndësishme. "
Marrëdhëniet e BE-se me Hungarinë janë acaruar për shkak të politikave të zotit Orban. Përplasjet mbi standardet demokratike kanë luajtur rol në vonesat e dhënies së fondeve të BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia të vendit.