Në fund të javës që shkoi, doza përforcuese e vaksinës kundër COVID-19 që jepet me një doze të vetme, Johnson & Johnson bëri një hap para në procesin e miratimit.
Pas votimit unanim të një paneli këshillues, rekomandimi tani pret miratimin e Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave.
Këshilltarët shprehën shqetësimin në rritje se vaksina J&J, me kalimin e kohës ofron më pak mbrojtje krahasuar me vaksinat Pfizer dhe Moderna.
“Ata po krahasojnë të dhënat e dobësimit të imunizimit dhe përparësitë e dhënies së dozës përforcuese në grupmosha të ndryshme. Të dhënat që vijnë nga Izraeli pas vaksinimit të presonave nga 40 deri 60 vjeç, tregojnë se ka vërtet përfitime nga marrja e dozës përforcuese”, tha Dr. Anthony Fauci.
Your browser doesn’t support HTML5
Zoti Fauci shtoi se varësisht nga rrethanat, SHBA do të ndryshojë rekomandimet për vaksinën. Në disa pjesë të vendit, vaksinimi i detyrueshëm nga punëdhënësit publikë dhe privatë është pritur me protesta, si në fabrikën Boeing të shtetit të Uashingtonit.
Guvernatori repulikan i Teksasit, Greg Abbot kohët e fundit nxori një urdhër ekzekutiv që ndalon vaksinimin e detyruar, duke kundërshtuar thirrjet e Presidentit Biden për kompanitë me të paktën 100 punonjës që të kërkojnë nga stafi vaksinimin ose testimin e rregullt.
Guvernatori republikan i Arkansasit, Asa Hutchinson thotë se nuk e mbështet ndalimin e zbatimit të urdhrit të vaksinimit nga punëdhënisit, edhe pse ai kundërshton urdhrat e vendosura nga qeveria federale.
“Ndonjëherë përfaqësuesit e shteteve thonë se punëdhënësit nuk duhet të kenë të drejtën të imponojnë vaksinim të detyruar për punonjësit. Për mua, edhe kjo qasje është e gabuar. Nuk është as e përshtatshme për debatin e as parimore”, tha ai.
Ndërkohë, rekomandimi i së premtes i panelit të FDA-së do të zbatohej tek të gjithë personat mbi 18 vjeç që vaksinohen me J&J, të paktën dy muaj pas imunizimit fillestar.
Masa ndjek planet e paraqitura në gusht nga Shtëpia e Bardhë, për një fushatë të gjerë të imunizimit me dozë përforcuese.