Gjykata shpall të kundërligjshëm vendimin e vitit 2012 për pagesën e energjisë në veri të Kosovës

  • Leonat Shehu

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të hënën të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të faturuar tek konsumatorët e tjerë shpenzimet e energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, gjatë periudhës 2012 deri më 2017.

Vendimi i Gjykatës pasoi padinë e institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë, që kishte kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që sipas padisë “kjo zyrë për të mbuluar humbjet prej rreth 8 milionë euro në vit në veri të vendit kishte faturuar konsumatorët në gjithë Kosovën”.

Gjykata Themelore në vendimin e saj ka detyruar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë “që të ndërmarr veprime dhe të obligoj Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kompenzimin me 40 milionë euro konsumatorët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës nga viti 2012 deri më vitin 2017”.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Nga viti 2017, shpenzimet e energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Në muajin maj të këtij viti, Parlamenti i Kosovës ka miratuar kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), për sigurimin e 11 milionë eurove për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat e banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.

Zgjidhja e çështjes së pagesës së energjisë elektrike në veriun e Kosovës ishte pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Me këtë marrëveshje parashikohej që të krijoheshin dy kompani serbe, të cilat do të furnizojnë dhe mbledhin faturat e energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës. Por kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.