Ursula von der Leyen në Shkup: Mos e humbisni besimin, keni mbështetje të madhe për integrimin në BE

  • Isak Ramadani

Ursula Von Leyer Zoran Zaev

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Shkup theksoi përkushtimin e Brukselit për fillimin e bisedimeve për zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë së bashku, ndërsa në një konferencë shtypi nuk u përgjigj nëse do të kishte një shkëputje në hapjen e bisedimeve për të dy vendet e Ballkanit perëndimor nëse Bullgaria do të vazhdonte bllokimin e Maqedonisë së Veriut drejt rrugës së integrimit evropian për shkak të problemeve me historinë dhe identitetin e fqinjit më të vogël.

“Qëllimi ynë është të fillojmë (bisedimet) me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para fundit të vitit. Shumë punë është duke u bërë dhe është një proces i mirë sepse shumë bisedime po zhvillohen prapa skenave me që ka shumë çështje të cilat mund të zgjidhen me dialog të mirë, me investim të ideve të mira për zgjidhjen e këtyre probleme. Synimi i përgjithshëm është që me të vërtetë të nisë procesi i anëtarësimit dhe kjo nuk duhet të pengohet më. Prandaj synimi ynë është që deri para përfundimit të vitit të fillojë konferenca ndërqeveritare”, tha Presidentja von der Leyen.

Ursula Von Leyen në takim me zotin Zoran Zaev

“Tek unë keni një parntere dhe një mbështetëse të fuqishme dhe unë dua që këto bisedime për anëtarësim të hapen me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ju bëj thirrje që të mos humbni besimin. Keni arritur kaq shumë, keni bërë një rrugë shumë të gjatë, keni bërë aq shumë përparim dhe ju uroj për këtë. Tani bëjeni këtë rrugë që ka mbetur dhe kjo do të shpaguhet. Keni mbështetje dhe shumë miq në BE dhe koalicion dhe le të punojmë fort për të arritur për qëllimin e konferencës ndërqeveritare para fundit të vitit. Ky është synimi ynë e përbashkët”, tha Presidentja e KE-së.

Zonja Ursula von der Leyen theksoi ndihmat prej 272 mijë dozash të vaksinave kundër koronavirusit për Maqedoninë e Veriut, ndërsa bëri thirrje që të vaksinohen të gjithë “për të mbrojtur jo vetëm veten por edhe njerëzit e dashur në mënyrë që të mos përhapen variantet e rrezikshme të virusit”. Ajo uroi autoritetet shtetërore maqedonase për njohjen nga BE-ja të çertifikatave dixhitale të vaksinimit. Maqedonia e Veriut është shteti i parë nga rajoni të cilit i njihen këto certifikata.

Shkupi ka pranuar 220 milionë euro grante dhe financa për paisje mjekësore dhe për mbëstetjen e sistemit shëndetësor, por dhe për rimëkëmbjen ekonomike pas goditjes nga pandemia e koronavirusit.

Presidentja e KE-së vuri theksin tek nevoja e mirëmbatjes dhe ruajtjes së ambinetit jetësor, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe organizatave të vendit që të përfshihen në atë që tashmë njihet si Marrëveshja e Gjelbër dhe Axhenda e Gjelbër. Kjo, tha ajo, ju afron me BE-në dhe mbron burimet e përbashkëta si dhe të ardhmen e suksesshme.

Zonja von der Leyen foli për projekte si ndërlidhja në gazsjellësin me Kosovën dhe Serbinë, për impiante të paneleve diellore, teksa nënvizoi nevojën për përfshirjen e gjashtë partnerëve rajonalë (shtetet e Ballkanit Perëndimor) në tregun e përbashkët rajonal “që paraqet çelësin e suksesit të planit tonë dhe përshpejtimi i përparimit sigurisht që e përshpejton edhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.

Presidentja Von der Layen vlerësoi reformat e Shkupit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. “Kjo duhet të vazhdojë dhe jam e sigurt se kjo gje do të shpërblehet”, theksoi ajo.

Kryeministri Zoran Zaev shprehu pakënaqësinë për bllokadën bullgare që , sipas tij, bie ndesh me vlerat evropiane. “Vlerat evropiane janë dhe vlera të vendeve kandidate për anëtarësim nga Ballkani perëndimor”, tha ai duke shtuar se “vlerësojmë se duhet një shtysë e re për ta përshpejtuar procesin për marrjen e vendimeve sepse çdo shtyrje e bllokadës i inkurajon forcat retrograde, të cilat kundërshtojnë unitetin evropian dhe vlerat evropiane”. Ndërkohë, kryeministri maqedonas paralajmëroi përshpejtimin e bisedimeve me Bullgarinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Presidentja e Komisionit Evropian shkoi në Shkup pas vizitës në Tiranë si pjesë e turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të shpërndarë mesazhin se “BE-ja ndan më këto vende të ardhmen e përbashkët”.