Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Leyen deklaroi sot se ajo po përpiqet në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të realizohet para fundit të këtij viti. Deklarata e saj u bë gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, ndalesa e parë e një turneu që ajo ka nisur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e që i paraprin takimit të nivelit të Lartë BE- Ballkan që pritet të mbahet në Slloveni javën e ardhshme.
Në mars të vitit të kaluar Këshilli europian vendosi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ndërsa pritej organizimi i konferencës ndërqeveritare, e cila shënon dhe nisjen zyrtare të këtij procesi, gjithshka u bllokua papritur nga Bullgaria, për shkak të kërkesave dhe pretendimeve të saj ndaj Maqedonisë së Veriut.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndonëse vendimi i takon vendeve anëtare, sot presidentja e Komisionit europian Ursula von der Leyen, ndezi një dritë shprese, pa specifikuar se nga buronte besimi i saj në një kthesë të mundshme të Bullgarisë.
“Unë mbështes plotësisht ecjen përpara të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur. Jam vërtet ë vendosur ta realizoj, që të kemi Konferencën tonë të parë Ndërqeveritare, në mënyrë që të fillojmë bisedimet e pranimit para fundit të vitit. Ky është qëllimi”, tha Presidentja e Komisionit europian.
Kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të veçantë, duke qenë se procesi i integrimit ka patur ngecje të shumta rrugës, për shkak edhe të qëndrimeve të disa prej vendeve anëtare. “Unë e kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk vë më bast për asnjë datë e asnjë afat e pres me qetësi të plotë si rastin kur ndodh, si kur nuk ndodh. Jemi bërë gati disa herë për dasëm, e krushqit nuk janë paraqitur. Hapen nuk hapen, mbyllen nuk mbyllen, konferenca e kapitujt, kjo është një cështje e Këshillit, madje një anëtari të familjes europiane që gdhihet me inat me një vend, e merr peng dhe një të tretë. Shqipëria e ka bërë detyrën në raport me BE-në. Në raport me të ardhmen kemi shumë gjëra për të bërë, e duhet të ecim përpara”, u shpreh ai.
Për kryeministrin Rama, situata me integrimin nuk përbën një arsye për të humbur durimin me Bashkimin Europian, i cili ju gjend pranë Shqipërisë në përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, duke u bërë dhuruesi më i madh i fondeve me disa qindra milion euro.
Edhe konferenca e përbashkët mes kryeministrit dhe presidentes së Komisionit u mbajt në oborrin e një shkolle të ndërtuar pikërisht me fondet e BE-së, e cila më pas ofroi gjithashtu mbështetje dhe për pasojat e pandemisë. Janë afro 450 mijë doza vaksinash, sic permendi zonja Von der Leyen, e 230 milion eruo në subvencione e financime për rimëkëmbjen ekonomike.
Presidentja e Komisionit theksoi se tani është e rëndësishme që të shihet drejt së ardhmes, për investime që do të garantojnë një rigjallërim afatgjatë, duke përmendur planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin perëndimor prej 9 miliard eurosh. Përveç 500 milion eurove të para të lëvruara këtë vit, zonja Von der Leyen bëri të ditur se janë propozuar dhe 600 milion të tjera në mbështje të projekteve të zhvillimit.
Situata në rajon ishin një tjetër temë e prekur gjatë vizitës së sotme. Presidentja e Komisionit foli me terma të matur për nismën e Ballkanit të Hapur, në të cilën vetëm gjysma e vendeve të rajonit janë përfshirë. “Mund të ketë iniciativa, por këto iniciativa, siç e thashë, duhet të jenë gjithëpërfshirëse në mënyrë që të respektojnë objektivin e përbashkët të këtij integrimi gjithnjë e më të fortë të tregut rajonal. Këto iniciativa duhet të jenë gjithëpërfshirëse, do të mirëpriten si të tilla, duhet të jenë vizionare për të ardhmen dhe duhet të respektojnë objektivat e përbashkëta dhe kështu do të kenë dhe mbështetjen time të plotë”, u shpreh presidentja e Komisionit europian.
Por kryeministri Rama është i bindur në dobinë e kësaj nisme e cila sipas tij nuk konkurron e aq më pak bie ndesh me procesin e Berlinit: “Ballkani i hapur është vendosur dhe do të bëhet dhe çdo vit e më shumë do provohet që është gjëja e duhur dhe Ballkani i hapur do jetë patjetër hapësira ku të gjithë do të vijnë njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë dhe kush vjen më vonë thjesht i humbet kohë dhe vend popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo. Ballkani i hapur është interes strategjik dhe është mekanizmi që bën procesi i Berlinit”.
Vizita e sotme e presidentes Von der Leyen, është ndalesa e parë e një turi që ajo po ndërmerr në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, i cili i paraprin takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i cili parashikohet të mbahet në 6 tetor në Slloveni.
Pasdite, Presidentja Von der Leyen udhëtoi për në Shkup, ku takoi kryeministrin Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski, për të vijuar me një vizitë në një qendër kulturore rinore, së bashku me kryeministrin Zaev.
Të mërkurën në mëngjes, Presidentja Von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të bisedojë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ajo gjithashtu do të vizitojë, së bashku me Kryeministrin, Kopshtin “Cicërimat”, i cili u ndërtua me fondet e BE -së. Presidentja më pas do të udhëtojë për në Podgoricë, ku do të pritet nga Presidenti Milo Gjukanoviç dhe Kryeministri Zdravko Krivokapiç. Gjatë qëndrimit të saj, ajo do të vizitojë Institutin e Shëndetit Publik i cili mori mbështetjen e BE -së në luftën kundër pandemisë, i shoqëruar nga Kryeministri.
Po të mërkurën në mbrëmje, Presidentja e Komisionit europian, do të jetë në Beograd, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç, ndërsa të nesërmen në mëngjes do të bisedojë me kryeministren Ana Brnabiç. Me presidentin Vuçiç, zonja Von der Leyen do të marrë pjesë më pas në ceremoninë e nisjes së një projekti hekurudhor, pjesë e Korridorit X, si dhe do të jetë e pranishme në nënshkrimin e një kontrate për rehabilitimin e një pjese të Autostradës së Paqes, e cila mbështet nga BE-ja.
Ndalesa e saj e fundit, të enjten në mbrëmje, dotë jetë Bosnja dhe Hercegovina. Presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Urës Svilaj që lidh Kroacinë dhe Bosnjë -Hercegovinën, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija. Në Sarajevë, ajo gjithashtu do të ketë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.