Merkel i jep mbështetjen e fundit pasuesit të saj para zgjedhjeve

Chancellor Angela Merkel and Armin Laschet, top candidate for the upcoming election, wave to supporters at the final election campaign event of the Christian Democratic Party, CDU, ahead of the German general election, in Aachen, Germany, Sept. 25, 2021.

AACHEN, GJERMANI - Kancelarja Angela Merkel u bëri thirrje gjermanëve të shtunën t'i japin votën e tyre pasardhësit të saj Armin Laschet për të hartuar të ardhmen e Gjermanisë, në një përpjekje të fundit për të forcuar fushatën e tij në vështirësi 24 orë para votimit.

Laschet, 60 vjeç, ka qenë pas sfiduesit të tij socialdemokrat Olaf Scholz në garën për kancelari, megjithëse sondazhet e fundit e vënë diferencën mes tyre brenda kufijëve të gabimit, duke i bërë zgjedhjet një nga garat më të paparashikueshme në vitet e fundit.

Angela Merkel kishte planifikuar të mbante një profil të ulët në betejën zgjedhore ndërsa përgatitet të largohet nga politika pas 16 vitesh në pushtet. Por ajo e gjeti veten të përfshirë në orarin e furishëm të fushatës së kryetarit jopopullor Laschet, të partisë së saj.

Në javën e fundit të fushatës, Merkel e çoi Laschet përpara elektoratit të saj në bregdetin Baltik dhe të premten u shfaq si figura kryesore në tubimin përmbyllës që mblodhi konservatorët në Mynih.

Merkel iu drejtua elektoratit kryesisht të moshuar të Gjermanisë të premten, duke u bërë thirrje atyre të mbanin konservatorët në pushtet për hir të stabilitetit - një thirrje karakteristike për Gjermaninë.

"Për ta mbajtur Gjermaninë të qëndrueshme, Armin Laschet duhet të bëhet kancelar, dhe CDU dhe CSU duhet të jenë forca më e fuqishme," tha ajo.

Një ditë para votimit, ajo shkoi në qytetin e lindjes së ArminLaschet-it dhe zonën zgjedhore Aachen, një qytet pranë kufirit perëndimor të Gjermanisë me Belgjikën dhe Holandën, ku ai ende jeton.

"Bëhet fjalë për të ardhmen tuaj, të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe të prindërve tuaj," tha ajo në tubimin e saj të fundit para votimit, duke kërkuar një mobilizim të fortë për aleancën e saj konservatore.

Angela Merkel nënvizoi se mbrojtja e klimës do të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme, por tha se kjo nuk do të arrihet "thjesht përmes rregulloreve".

"Ne kemi nevojë për zhvillime të reja teknologjike, procedura të reja, studiues, njerëz të interesuar që mendojnë se si mund të arrihet mbrojtja e klimës dhe që njerëzit të marrin pjesë në këtë përpjekje", tha ajo.

Zoti Laschet është një "politikan që ndërton ura-lidhëse e që do të angazhojë njerëz" për të përmbushur këto sfida të Gjermanisë në të ardhmen, tha ajo.

Qindra mijëra njerëz kishin dalë në rrugë të premten duke kërkuar ndryshim dhe mbrojtje më të madhe të klimës, me një aktivist të shquar që i quajti zgjedhjet e së dielës votën "e shekullit".

“Mund të dalë e kundërta”


Ndërsa afrohen zgjedhjet, zoti Olaf Scholz është përqëndruar në zonën e tij, në skajin tjetër të vendit, në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve në momentet e fundit të fushatës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të votuesve në zonën e tij zgjedhore në Potsdam - një qytet në periferi të Berlinit i famshëm për pallatet e tij që dikur strehonin mbretërit e Prusisë – zoti Scholz tha se ai po luftonte për të sjell "një ndryshim të madh në vend, një qeveri të re” të udhëhequr nga ai.

Ai gjithashtu ofroi një përshkrim të shkurtër të qeverisë së ardhshme që shpreson të drejtojë, duke thënë se, "ndoshta mund të jetë e mjaftueshme, për shembull, për të formuar një qeveri midis Socialdemokratëve (SPD) dhe të Gjelbërve".

Zoti Scholz, aktualisht ministër i financave në qeverinë e koalicionit të Kancelares Merkel, ka shmangur gabimet në fushatë, dhe kryesisht fitoi mbështetjen pasi e paraqiti veten si "kandidati i vazhdimësisë" pas zonjës Merkel në vend të zotit Laschet.

I përshkruar si i aftë, por i mërzitshëm, zoti Scholz vazhdimisht ka mposhtur zotin Laschet me diferenca të mëdha kur flitet për popullaritet.


Ndërsa gjermanët shkojnë në votime brenda disa orëve, konservatorët e zotit Laschet po e ngushtojnë hendekun, ndërsa një anketë tregon se mbështetja për ta është 1% më e vogël se 26% që gëzojnë Socialdemokratët.

Zoti Laschet hyri në garë për postin e kancelarit i dëmtuar keq nga një betejë e ashpër mes konservatorëve për fituar mbështetjen si kandidat për postin e lartë. Megjithatë, partia e tij gëzonte një epërsi të konsiderueshme ndaj socialdemokratëve në fillim të verës.

Por Laschet u pa duke qeshur pas Presidentit Frank-Walter Steinmeier ndërsa ai bëri homazhe për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse në korrik, një imazh që do të ndryshonte në mënyrë drastike mbështetjen për të dhe partinë e tij.